
TIRANË- Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin për heqjen e sekuestros për inceneratorin e Tiranës. Kërkesa u shqyrtua në dhomën e këshillimit nga një kolegji gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj, e Sandër Simoni.
SPAK sekuestroi kompaninë e inceneratorit të Tiranës, 'Integrated Energy B.V SPV' në korrik 2023. Avokatët e kompanisë koncesionare kërkuan heqjen e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për persion juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
Kjo nuk ështe tentativa e parë që aksionerët e kompanisë Integrated Energy kanë kërkuar heqjen e sekuestros, pasi më herët kanë bërë kërkesë edhe në Gjykatën e Apelit, mirëpo dhe kjo e fundit la në fuqi sekuestron dhe administrimin shtetëror të kompanisë duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të mbështetur në prova.
Njoftimi i sotëm i Prokurorisë së posaçme, vë në dukje se dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Ebasan dhe Fier. Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto sipas prokurorisë kanë konsumuar veprat penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror dhe i të zgjedhurve vendorë’, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 dhe 25 të Kodit Penal si dhe ‘Pastrimit i produkteve te veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’, kryer ne rrethana cilësuese në bashkëpunim./ZËRI