Aktualitet

'Gërdeci'/ Flasin 4 dëshmitarët (DËSHMITË)

I fundit që ka dëshmuar në GJKKO, ka qenë ish-Sekretari i Përgjithëshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullai.

E.K
'Gërdeci'/ Flasin 4 dëshmitarët (DËSHMITË)
Fatmir Mediu

TIRANË- Katër dëshmitarë kanë dëshmuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për çështjen “Gërdeci”, në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Para togave të zeza ish-ushtaraku Sadik Sula, ka treguar dhe momentin e nisjes së flakëve që mrën jetën e 26 personave dhe lanë të plagosur dhjetëra të tjerë. Ai ka treguar se kur ka shkuar në fillim ka dashur të largohet pasi kushtet e punës ishin jashtë standarteve, por për shkak të vështirësive ekonomike ishte i detyruar të punonte me 150 mijë lekë të vjetra. Ndër të tjera ai ka treguar se në fabrikë nuk ka parë asnjëherë zyrtarë të shtetit ndërsa vetë tregon se ishte punësuar në privat aty. Shkaktimin e flakëve e cilëson si një gabim njerëzor.

Sadik Sula: Mora vesh për Gërdecin përmes 3 miqve të mi, kontaktova me Petrit Bekoharin. Pas një jave më kthehet përgjigja dhe vazhdova punë. Detyra ime ishte të hiqja djegoret nga predhat, kisha punë të veçuar. Ditën e ngjarjes ishim rreth 60 punonjës në fabrikë. Dëgjoj një punëtor duke bërtitur ‘baruti u ndez’. Dola pashë një djalë të ri pranë karrocës që na kishin thënë se sapo ishte salduar, me sa duket pasi hodhi dy tre thasë, ajo filloi ndezjen. Pastaj u dëgjua një shpërthim. Pranë ishin rreth 50m 4 kontenier me barut. Edhe në shesh kishte sasi të madhe baruti të hedhur. Dy javë punova aty, pasi pashë situatën kisha vendosur që 1 muaj të punoja aty. Nuk ikja dot direkt pasi e kisha kërkuar vetë punën. Fëmijët i kisha në shkollë, vetë e gruan pa punë, 150 mijë lekë të vjetra merrja pension të parakohshëm si ushtarak. Kur pashë zjarrin, te karroca e salduar, ishte një djalë që ndoshta ka qenë bërë gati për ta shtyrë, ai vdiq, u shtrimë në tokë. Jemi djegur nga pas duke qenë se flakët vinin pas nesh. Pashë me sy flakët dy metër mbi karrocë. Flaka sipas meje nisi për një gabim njerëzor, ai ishte aktivitet privat, nuk kam parë zyrtar shtetërorë. Unë isha i punësuar në privat në atë fabrikë.

Një tjetër dëshmitar në sallën e gjyqit ishte gjenaral Bardhyl Hoxha, i cili asokohe mbante dhe detyrën e Drejtorit të Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Bardhyl Hoxha: Të pranishëm kanë qenë Sokrat Papadhima, specialist, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe një jurist. Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar.

Në seancën e sotme për çështjen “Gërdeci”, në cilësinë e dëshmitarit ka qenë i pranishëm dhe Viktor Përshqeta, i cili asokohe mbante detyrën e Oficerit të Armatimit. Para togave të zeza ai ka treguar se në detyrë është emëruar 8 muaj para tragjedisë. Ndër të tjera ai shton se me urdhër të eprorëve ka shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një invetanrizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug. Aty është tregon se në atë moment ka pasur një debat mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 te urdhërit, që kishte të bënte me kostot e transportit. Urdhri sipas tij ishte dhënë nga shefi i madh, që nënkuptohej ish-ministri Mediu.

Viktor Përshqeta: Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit.  Me urdhër të eprorëve kam shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një invetanrizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug. Më ka thirrur në lidhje me urdhrin 20-44, ma ka lexuar urdhrin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune. Ka patur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 te urdhërit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhrin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Këtë të enjte ka dëshmuar dhe Anila Gjergji me detyrë inxhinierie softëare-I, e cila ka treguar për fax-in e mbërritur, i cili mbante një mbishkrim me stilolaps, “Për Shëklzenin”.

Anila Gjergji: Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga ministria e drejtëësisë për ministrinë e mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet.

I fundit që ka dëshmuar në GJKKO, ka qenë ish-Sekretari i Përgjithëshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullai. Ai ka treguar se merrej me zbatimin e detyrave dhe nuk ka bërë asnjë procedurë që kishte të bënte me Gërdecin.

Ardian Mullai: Ndiqja zbatimin e detyrave, s’kam bërë ndonjë procedurë për Gërdecin, kompania e demontimit na solli ofertën për procesin, kundrejt pagesës. Shtabi kërkonte licensim për këtë procedurë, bëri një memo për këtë, më pas realizova takimin me kompaninë peretodologjinë e procedurat, nga MM dhe Shtabi. Ishte takim njohës, jo konkludues, m’u bë një kërkesë që t’i drejtohesha ndërmarrjeve ushtarake, në një kohë të shkurtër erdhi përgjigjia, u ngrit grupi i punës për analizën e situatës, më pas doli urdhri i ministrit për grupin e punës. Nga drejtoria përkatëse m’u tha se s’kishte bazë ligjore dhe kërkohej një VKM, Mejko solli një memo, ku thuhej se duheshin demontuar municionet e viteve ’50 të cilat nuk shiteshin për shkak të vitit të vjetër të prodhimit. Pas daljes së konkluzionit të grupit të punës, dolën çmimet për shitjen dhe demontimin. Nisi hartimi i një VKM. I kam dërguar shkresë drejtorive përkatëse për ofertat e ndërmarrjeve ushtarake, siç ishte ndërmarrja e huaj SAC. Ka pasur disa fakse të ardhura në shifra që ia kalova komisioneve përkatëse. Në diskutimet me MEICO më duket kishte marrëveshje dypalëshe me SAC, ku mes të tjerash ishte përcaktuar si lokacion Gërdeci. Praktika e licensimit nuk varet nga sekretari. Në çdo praktikë që unë kam kaluar edhe në të shkuarën, nuk ishte në përgjegjësinë e sekretarit apo ministrit përcaktimi nëse licensa e një reparti ishte e duhur apo jo. Ishte MEICO që e përcaktonte. Marrëveshja përmendte vetëm SAC, nuk përmendej AlbaDemil, nuk kam dijeni, sepse AlbaDemil nuk figuronte në asnjë shkresë. Nuk është bërë asnjë verifikim për shkak se nuk figuronte. Nuk e njoh as Mihal Deliorgjin (drejtuesin e kompanisë AlbaDemil).

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6-vjeç në këtë tragjedi. Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish-ministrit Fatmir Mediu. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008./ZËRI

Poll

MOS HUMB