
TIRANË- Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me grabitjen e dështuar në Prush të Tiranës. Në njoftim bëhet me dije se autorët kanë qenë tre. Sipas bluve të Tiranës, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, tre persona të armatosur janë futur në banesën e personit të identifikuar me inicialet G.H.. Efektivët kanë shkuar në vendngjarje pas njoftimit, por tre grabitësit janë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Autorët janë larguar drejt Liqenit të Thatë me një mjet tip "Audi" me ngjyrë të bardhë me targa AA943SG. Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës
Njoftimi i policisë Tiranë:
Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.
Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.