
ELBASAN –Policia në Elbasan ka arrestuar 68-vjeçarin Mahmut Gjuzi, bashkëshorti i Merushe Gjuzit, e cila ndërroi jetë, pasi u vetëhodh nga një furgon në lëvizje.
Mahmut Gjuzi akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim i vetëvrasjes. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Peqin-Elbasan.
Merushe Gjuzi ishte duke udhëtuar së bashku me bashkëshortin drejt Elbasanit, kur ka hapur derën e furgonit, duke u hedhur e duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Një mikeshë e saj, që po udhëtonte së bashku me Merushe Gjuzin, ka deklaruar në polici se ajo nuk ishte ndjerë mirë atë mëngjes dhe kishte pasur grindje me bashkëshortin.
“Nuk ndihej mirë atë mëngjes. Ishte konfliktuar me bashkëshortin. Gjithmonë uleshim në vend të parë, ndërsa këtë herë qëndroi e vetme dhe e heshtur në pjesën e pasme të furgonit.
Ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike. Kjo që ndodhi ishte shumë e tmerrshme”, tha mikesha e saj.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, ku humbi jetën shtetasja M. Gj., 57 vjeçe, si pasojë e vetëhedhjes nga dera e pasme e furgonit për pasagjerë, me të cilin udhëtonte, ju informojmë se:
Pas hetimeve të thelluara për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan vunë në pranga bashkëshortin e 57-vjeçares, shtetasin M. Gj., 68 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Nëpërmjet dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, 68-vjeçari dyshohet se ka ndikuar te gjendja e rënduar psikologjike e shtetases M. Gj., e cila në këto kushte, është vetëhedhur nga furgoni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Zëri.ai/