
TIRANË- Një stuhi ka përfshirë Shqipërinë dhe pritet që të sjellë probleme për veri-perëndimin dhe qendrën e vendit tonë. Më shumë detaje lidhur me parashikimin e motit ka dhënë sinoptikanja Lajda Porja. Në një intervistë për "Klan", sinoptikanja nga “MeteoAlb” listoi disa zona të vendit, që sipas saj do të përfshihen nga rrebeshe shiu dhe stuhi me erë të fortë.
Po sipas saj, reshjet do të nisin që sot në orën 12.00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 16.00, të pasdites. Gjatë këtij orari, më problematike situata pritet që të jetë në Shkodër. Ndërsa pas kësaj ore, do të ketë shtim të intenstitetit vetëm në jug, duke listuar qytetet e Gjirokastrës, Vlorës, Përmetit dhe Sarandës. Në këto zona shiu do të vazhdojë deri në mbrëmje. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
HARTA LIVE:
PJESË NGA SQARIMI I PORJAS:
Lajda Porja: Dita më problematike është dita e sotme edhe pse ka nisur me vranësira, të paktën në veri pritet që nga ora në orë të kemi shtim të intensitetit të reshjeve. Parashikohet që reshjet të jenë problematike nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Kryesisht veri-perëndimi dhe qendra do të ketë rrebeshe shiu, shoqëruar herë pas here me stuhi të forta ere. Reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave duke sjellë probleme në disa zona të veri-perëndimit, në zonat e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Po ashtu, Kruja, Tirana, Elbasani. Pas orës 16:00, presim të kemi shtim të intensitetit të reshjeve, kryesisht në zonat jugore, ku do të jetë Gjirokastra, Vlora, Përmeti dhe Saranda që do të marrin rrebeshe shiu, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Deri sonte në orët e vona të mbrëmjes, moti do të jetë problematik në disa zona të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore duke sjellë lokalisht dhe reshje intensive, herë pas here shoqëruar me stuhi detare. Jane ciklone tropikale, të cilat janë prodhuar dhe gjatë ditës së djeshme për shkak të temperaturave shumë të larta që kemi përjetuar dje. Ndërkohë temperaturat vijojnë të jenë të larta edhe pse kemi reshje, 20 apo mbi 20 gradë Celsius.
Por cilat janë zonat më problematike dhe në cilat fasha orare do të jetë situata alarmante përsa i përket kushteve të motit?
Lajda Porja: Shkodra ka problemin nga ora 12:30-13:00 deri në orën 15:00 apo 16:00, ky është intervali ku do të ketë intensitetin më të lartë të reshjeve. Ndërkohë, Tirana është pas orës 13:00 deri në orën 16:00, ku mbetet problematike situata. Jugu nuk është problematik përgjatë paradites, ndërkohë pas orës 16:00, pritet një intensifikim i zonave jugore, por sërish mbetet veriu dhe qendra epiqendra e kësaj stuhie ciklonare që ka përfshirë Shqipërinë dhe jo vetëm Shqipërinë, por edhe një pjesë të mirë të Ballkanit.

Pritet që nga e marta të kemi një përmirësim të reshjeve, por sërish moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi dhe me diell, deri në ditën e premtë. Mesa duket këtë vit, sipas Porjas, dita e Verës më 14 mars, nuk do të jetë aspak e tillë. Detaje të tjera ka bërë me dije edhe Shërbimi Meteologjik Ushtarak, në faqen zyrtare të të cilit bëhet me dije se nëse në zonat e tjera ka stuhi dhe reshje shiu, në Alpe pritet stuhi bore.
Sa i përket temperaturave, ato pritet që të variojnë në bregdet: 10 / 15°C; në vendet e ulëta: 9 / 14 °C; ndërsa në në vendet malore: 4 / 11 °C. Era, duke qenë se vendi përfshihet nga stuhia, pritet të fryjë mesatare, deri e fortë në bregdet dhe në vendet malore./ZËRI