TIRANË- Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) po zhvillojnë kontrolle në Tiranë dhe Durrës në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Burime bëjnë me dije se gjyqtari i hetimeve paraprake, Erion Çela, ka miratuar 4 urdhra kontrolli në banesa dhe zyra në Tiranë e Durrës. Veprimet hetimore po kryhen në kërkim të provave të reja, për të cilat kanë lindur dyshime gjatë hetimit.
Kontrollet vijnë vetëm një ditë pas vendimit të SPAK për zgjatjen me 3 muaj të hetimeve për ish-numrin 2 të qeverisë dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Ndërkohë, një ditë më parë u raportua se Belinda Balluku është thirrur nga SPAK për t’u paraqitur më 31 korrik, ndërsa ajo ka kërkuar ndryshimin e datës, duke pretenduar se ka angazhime të tjera.
Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po hetohet nga SPAK për veprat penale të dyshuara të korrupsionit, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në tendera./ZËRI
