
TIRANË - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u paraqit edhe sot (29 dhjetor) në ambientet e SPAK, pasi ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit. Kjo është hera e tretë që Beqaj paraqitet në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë. Beqaj po hetohet edhe nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës për koncesionin e Sterilizimit, gjatë kohës që ishte ministër.
Gjatë prononcimit për mediat, ish-ministri Ilir Beqaj ka mohuar që të këtë lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij së fundmi për fshehje pasurie, me anë të një lidhjeve me kompaninë farmaceutike, Delta Pharma. Beqaj ka thënë se nuk ka pasur interes financiar të mbështesë sipërmarrjet farmaceutike, gjatë kohës që ishte ministër. “Së pari ministri nuk bën tendera. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale, si sende pune gjenden aty. Ata që erdhën e bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër.Ende pres të kuptoj se çfarë kam bërë. Është momenti që njerëzisht t'ju uroj Gëzuar Vitin e Ri. Shëndet në familje”- tha Beqaj.
Avokati i Beqajt: Janë sekuestruar celularët e personave nën hetim
Avokati i ish-ministrit Ilir Beqaj, në një prononcim për mediat, ka folur për akuzat në drejtim të klientit të tij. Ai tha se janë sekuestruar celularët e të gjithë personave, që janë nën hetim, si dhe kompjuterat. “Nuk jam njoftuar për kontrollin e ushtruar në shtëpinë e Beqajt. Gjykata ka marrë vendim për të ushtruar kontroll në shtëpinë e Beqajt, është procedurë normale. Nuk dua të flas për sekrete hetimore. Janë bërë kontrolle banesash tek të gjithë personat që janë nën hetim. Janë disa çështje që prekin zotin Beqaj. Ajo që ia vlen që të them është se Beqaj ka qenë gjithmonë i gatshëm për drejtësinë. Beqaj nuk më ka njoftuar as mua për kontrollet në banesë, sepse ai është i hapur për hetimet. Vendimi i gjykatës flet për përgjime telefonike dhe ambientale, por flitet për një person tjetër. Nuk isha në SPAK për Beqajn”, tha avokati.

Sipas asaj që raporton News24, hetimet për ish-ministrin Ilir Beqaj do të shtrihen edhe në Poloni. Kjo, sepse në këtë shtet mund të jenë kryer disa transaksione. Pritet që SPAK të ashpërsojë masat e sigurisë ndaj Beqajt.
Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës./ZËRI/