
BERAT- Një atentat dështoi pasditen e djeshme në Berat! Dy vëllezër, të identifikuar si Fatjon dhe Marko Maloku qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj dy personave. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Donika Kastrioti”. Objektivi i sulmit ishin Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi, dy miq, të cilët u ndoqën me mjet nga dy vëllezërit dhe u qëlluan me breshëri.
Fatmirësisht Merkaj dhe Dhëmbi kanë mundur që të largohen me vrap drejt spitalit dhe u kanë shpëtuar plumbave edhe pse automjeti i autorëve i ka ndjekur nga pas për një kohë të gjatë. Sapo kanë mundur që të fshiheshin nëpër rrugicat e lagjes, dy miqtë kanë njoftuar menjëherë Policinë. Edhe pse dje pati kontrolle në të gjithë qytetin, madje u bllokuan të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse, sërish dy autorët e ngjarjes i shpëtuan uniformave blu. Sot, të dy janë shpallur në kërkim nga Policia e Beratit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Berat, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve F. M., 36 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, vëllezër, të dy banues në Durrës. Berat/ Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbasditen e djeshme, ku dy shtetas qëlluan me armë zjarri nga një automjet në drejtim të shtetasve A. M., dhe A. Dh., 39 vjeç, të dy banues në Berat, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Berat, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve F. M., 36 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, (vëllezër), të dy banues në Durrës. Vijojnë kontrollet intensive në bashkëpunim me DVP Durrës, për kapjen e dy vëllezërve të shpallur në kërkim. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme. Aktualisht vijojnë kontrollet intensive në bashkëpunim me policinë e Durrësit, për kapjen e dy vëllezërve të shpallur në kërkim. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Aktualisht, ka dyshimet se konflikti mes dy grupeve ka lindur në Greqi dhe lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Por hetimet kanë nisur dhe pritet që të merren në pyetje edhe shënjestrat për të zbuluar shkakun e vërtetë të ngjarjes, ndërkohë që paralelisht po vijohet nga puna për kapjen e tëdyshuarve./ZËRI