
TIRANË- Të gjithëve iu ka rënë në sy të mërkurën që lamë pas dhe sot, reja e pazakontë e pluhurit që ka mbuluar Shqipërinë. Edhe sot, vendi ynë u zgjua i mbuluar nga një re pluhuri, e zhvendosur nga Afrika Veriore. Pikërisht kjo re afrikane (sahariane), ka sjellë edhe masa të ngrohta ajrore, duke bërë që termometri të shënojë deri në 28 gradë. Por duket se situata po vjen duke u përmirësuar. Hakil Osmani nga metoalb, i ftuar në emisionin “Good Morning Albanians” tha se pluhuri është shumë i dëmshëm, por situata aktualisht është duke u përmirësuar.
“Erërat e forta vijnë dhe si pasojë e ndryshimit të menjëhershëm të temperaturave të ajrit. Sot kemi një përmirësim të kushteve të motit si përsa i përket pastrimit të atmosferës, po ashtu kemi dobësim të parametrit të erës duke bërë që të mos ketë më probleme. Sot nuk pritet që të ketë reshje në territorin shqiptar. Jo vetëm ditën e sotme por dhe në vijim moti pritet që të jetë i qëndrueshëm,”-tha ai. Por asnjë nga autoritetet në Shqipëri nuk ka reaguar lidhur me situatën e krijuar.
HARTA LIVE:
E kundërta ka ndodhur në Greqi, ku në media kanë folur edhe mjekë siç është rasti i profesorit të pulmonologjisë, Theodoros Vasilakopoulos, i cili u ka dhënë këshilla qytetarëve në mënyrë që të mos ndikohën për keq nga reja e pluhurit që ka përfshirë edhe vendin fqinjë, Greqinë.
“Sa herë që atmosfera rëndohet, veçanërisht me mikrogrimca, njerëzit që kanë vulnerabilitet, sëmundje paraekzistuese në sistemin e tyre të frymëmarrjes dhe qarkullimit, rëndohen. Arsyeja është e thjeshtë. Kur pluhuri hyn dhe ne e thithim atë, këto grimca të vogla ulen në rreshtin e rrugëve të frymëmarrjes dhe shkaktojnë një inflamacion. Në një trup të shëndetshëm, ky inflamacion është shumë i vogël dhe nuk shkakton asgjë. Megjithatë, në një organizëm që tashmë është i inflamuar nga ndonjë sëmundje, astma alergji, inflamacion, mbivendoset mbi atë ekzistuesin dhe shtohet ose shkakton simptoma më të rënda. Pra, ajo që dikush duhet të bëjë është, së pari, nëse ka një sëmundje dhe e di, të kontaktojnë me mjekun e tyre. Zakonisht kemi nevojë për intensifikimin e mjekimit, domethënë rrisim ose dozën ose frekuencën e barnave, ose shtojmë ndonjë ilaç, por asnjëherë vetë. Gjithmonë me recetën e mjekut. Nuk është normale të kollitesh edhe nëse ka pluhur afrikan. Nëse kollitemi, ndoshta kemi astmë ose sëmundje pulmonare obstruktive kronike dhe nuk e dimë. Është një mundësi e mirë për t'u diagnostikuar,"-këshilloi ai, duke orientuar qytetarët grekë sesi të sillen në kushte të tilla, jo normale.
Po ashtu, profesori i Pulmologjisë theksoi në fund se në këto ditë, është më mirë që të mbahet një maskë në fytyrë.
Por situata po vjen duke u përmirësuar. Duke qenë se era po kthehet, edhe reja e tymit do të shkojë drejt Turqisë dhe Qipros. Kështu, cilësia e ajrit atmosferik do të përmirësohet ndjeshëm nesër dhe gjatë fundjavës. Por edhe kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, pasi të dielën dhe kryesisht në fillim të javës së ardhshme, një valë e re, edhe pse më e butë, pluhuri afrikan do të prekë sërish rajonin tonë./ZËRI