Aktualitet

INTERVISTA- Sot ‘kyçi gojën’ në GJKKO, roli i Mihal Delijorgjit në tragjedinë e Gërdecit dhe komunikimet me Shkëlzen Berishën

Mihal Delijorgji është një prej 4 personave të dënuar me burg nga drejtësia shqiptare për çështjen Gërdeci. Megjithatë pas kthimit të çëshjes për t’u rigjykuar, ai ka vendosur që të hështë dhe të mos përballet me akuzat

E.K
INTERVISTA- Sot ‘kyçi gojën’ në GJKKO, roli i Mihal
Fatmir Mediu, Shkelzen Berisha dhe Mihal Delijorgji

TIRANË- Pas pothuajse 3 vitesh nga rihapja e dosjes së Gërdecit, ku Gjykata e Posaçme ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, procesi duket se është shndërruar në një farsë, ndërsa mediat pothuajse çdo javë raportojnë për shtyrjen e seancave. Njësoj siç ndodhi edhe sot! Gjatë seancës së kësaj të mërkure, për herë të parë u paraqit në Gjykatën e Posaçme biznesmeni Mihal Delijorgji, një prej të paktëve persona që janë dënuar për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, në Mars të vitit 2008.

Por nëse dikush priste që Delijorgji të fliste, dhe të sqaronte pozicionin e tij në këtë histori, duke shfrytëzuar një dritare që ja lejon ligji, ai zgjodhi që të mbrohej përmes heshtjes. Kjo taktikë e tij, edhe pse brenda kornizave të ligjit, flet shumë për mungesën e vullnetit nga të gjithë aktorët e përfshirë për të zbardhur një nga tragjeditë më të rënda të 30 viteve të fundit në vendin tonë.

Shumica e dëshmitarëve që janë thirrur nga SPAK për të dëshmuar, nuk kanë pranuar që të flasin, ndërsa disave prej tyre nuk iu gjenden as adresat. Vetë Fatmir Mediu, i cili është dhe një nga të pandehurit kryesorë në dosjen e Gërdecit, ka zgjedhur që të dëshmojë i fundit në proces, duke dëgjuar më herët të gjithë personat e tjerë që mund të kenë dijeni për procesin e demontimit të armëve në Gërdec.

Por le të rikthehemi te roli që Mihal Delijorgji ka pasur në Gërdec, dhe kthimi i tij një dyert e drejtësisë 11 vite pas lirimit nga burgu.

Mihal Delijorgji dhe kompania e tij Albademil, menaxhonin procesin e demontimit të armëve në Gërdec, ndërsa kontrata ishte lidhur me një kompani amerikane të quajtur SAC Inc. Kontrata mes kompanisë amerikane dhe shoqërisë së Delijorgjit ishte lidhur vetëm për çmontimin e predhave të vogla, ndërsa në rrethana të paqarta, Albademil vijoi procesin e çmontimit të predhave të mëdha, edhe pse nuk kishte teknologjinë e nevojshme.

Rrethanat e kapërcimit të kushteve të marrëveshjes nuk u hetuan kurrë nga drejtësia shqiptare, ndërs Mihal Delijorgji do të dënohej me 6 vite e 7 muaj burg, duke u shpallur fajtor për tragjedinë. Megjithatë, pas lirimit, Mihal Delijorgji do t’i qëndronte versionit të tij, se nuk kishte asnjë përgjegjësi për masakrën e ndodhur në Gërdec. I pyetur në një intervistë asokohe, Mihal Delijorgji, do të hidhte dyshime se shpërthimi në Gërdec mund të kishte qenë i qëllimshëm, pasi dikush kishte dashur që të sabotonte shtetin shqiptar. Versionit të sabotazhit i ka qëndruar dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. 

Në 2013, kur dhe u lirua nga burgu, Mihal Delijorgji do të pyetej dhe për punësimin e fëmijëve në fabrikën e demontimit të armëve, për të cilën akuzonte se ishte bërë nën thundrën e amerikanëve, dhe se kompania e tij si nënkontraktore nuk kishte asnjë përgjegjësi për punësimet. I pyetur asokohe nëse do të lejonte vajzën e tij që të punonte në këtë fabrikë, Delijorgji do të shprehej se ‘Po’, në rast se nuk kishte rrezik për jetën. Në këtë intervistë të rrallë për gazetaren Anila Basha, që rezulton edhe e fundit e tij në media, Mihal Delijorgji ka folur dhe për marrëdhënien që ka pasur me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenin, i cili gjithashtu dyshohet për rolin e tij në fabrikën e demontimit të armëve.

Delijorgji shprehej pas lirimit nga burgu, se me Shlëzen Berishën kishte komunikime normale telefonike, siç mund të kishte me çdo person tjetër.

Pjesë nga intervista:

Atëherë po ju bëj një pyetje in-extremis, vajza juaj po të ishte pa punë do e çoje në një kompani demontimi armësh?

Delijorgji: Nëse nuk do të kishte rrezik dhe në moment që vinin se edhe ata që kanë ardhur është se ata të gjithë luteshin: aman më merr dhe fëmijën. I luteshin atyre. Në i kanë marrë i kanë marrë për punë të lehta. Tani a duhet të merreshin për të punuar? Flasim gjithmonë për projektin e parë sepse te i dyti nuk ka pasur fëmijë. Në këtë moment ata që ishin specialistë të kësaj pune...

Dmth ti po thua që nëse nuk kishte asnjë rrezik për vajzën tënde, vajza jote do punonte aty...

Delijorgji: Po të mos kishte rrezik po, po të kishte jo.

Kur ne investiguam ditët e para, prokuroria nxorri tabulatet. Dhe kemi parë edhe tuat. Të erdhi keq që me Shkëlzen Berisha ke pasur me shume telefonata? Cili je ti që ke pasur gjithë këtë intesitet telefonatash me djalin e kryeministrit?

Delijorgji: Tani, çdo njeri, nuk është e ndaluar të flasësh në telefon...

Po ke pasur intesitet telefonatash, pse janë bërë?

Delijorgji: Po edhe po të kesh, ç’të keqe ka? Unë isha biznesmen shumë i rregullt, me kompanitë që kisha shtetit shqiptar i kam paguar mbi 60 milionë euro taksa. Çdolloj pune që kam bërë e kam bërë brenda ligjeve dhe rregullave...

Ç’a të lidh ty me djalin e kryeministrit? Shok s’e ke, as ha dreka. Për çfarë të duhet?

Delijorgji: Ti thua në këtë moment që kam folur. Unë them se nuk kam folur. Ti thua se janë tabulatet. Dhe kaq. Tani në Shqipëri, a më kupton, do vesh për të marrë, normal që interesohesh se kush janë njerëzit brenda ligjit. Apo mund të më thuash, pse ke folur me Shefin e Shtabit. Të thashë edhe më parë, as drogë nuk bëj, as prostitucion nuk bëj...Sali Berisha, Shkëlzen Berisha nuk më ka dhënë asnjë punë, asnjë punë, as Edi Rama, as Ilir Meta, asnjë njeri...

Po ti u gjende në vështirësi dhe u telefonon krerëve kryesorë të shtetit dhe unë si gazetare dyshoj se ti do të mbyllësh një punë me urgjencë...

Delijorgji: Tani ç’punë kam mbyllur. Hapim letrat dhe shohim. Mihali gjatë këtyre viteve çfarë ka marrë. Kam marrë ndonjë tender, ndonjë rrugë, kam marrë ndonjë punë nga shteti. Këto janë faktet. Ju si gazetare mund të investigoni...

Pavarësisht se u gjet fajtor për tragjedinë e Gërdecit, në të njëjtën vit që do të lirohej nga burgu, Mihal Delijorgji e paditi shtetin shqiptar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku fitoi një dëmshpërblim prej pak më shumë se 15 mijë eurosh si kompensim për stresin e shkaktuar gjatë periudhës së paraburgimit.

Pas lirimit nga burgu, Delijorgji i është kthyer aktivitetit të tij të biznesit, duke përfituar disa leje ndërtimi në Tiranë, edhe gjatë drejtimit të Bashkisë nga socialistët. Ai tashmë ka një betejë të re të hapur me drejtësinë shqiptare, të cilën vendosi që ta sfidojë që në përballjen e tij të parë, që ishte seanca e sotme. Mbetet për t’u parë nëse GJKKO do ta konsiderojë të shlyer dënimin e tij për tragjedinë e Gërdecit, duke marrë në konsideratë vendimin e dhënë më herët nga Gjykata për krime të rënda, apo do të ketë një dënim të dytë, tashmë që çështja e Gërdecit është rikthyer për gjykim. /ZËRI

Poll

MOS HUMB