
TIRANË- Pas thirrjeve të vazhdueshme nga ana e Porokurorisë së Posaçme, biznesmeni Mihal Delijorgji është paraqitur në seancën e sotme në GJKKO, por nuk ka pranuar që të pyetet dhe të dëshmojë në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Mihal Delijorgji ka qenë një ndër personat e dënuar me 6 vite e gjysmë burg për çështjen Gërdeci.
Ish-administratori i kompanisë “Alba Demil”, refuzoi që të dëshmonte, duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji.
Kjo ka sjellë dhe irritimin e ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili tha se nuk ka kuptim që dëshmitarët të thirren vetëm formalisht nga ana e SPAK, sa kohë që ata refuzojnë që të japin versionin e tyre për masakrën që ka ndodhur në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, dhe u plagosën qindra të tjerë.
‘Besoj në gjithë këtë proces mos përgjigja tregon qartë se prokuroria i ka sjellë si dëshmitarët formal, pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën’, u shpreh Mediu pas seancës.
Edhe në seancën e sotme nuk u paraqitën për të dëshmuar disa prej personave të thirrur në SPAK, si Anjola Agolli, ish sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdari dhe Luan Hoxha.
Për Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur. Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi, pasi SPAK nuk ka mundur që të gjejë vendndodhjen e tyre, në mënyrë që t’i informojë zyrtarisht për procesin.
Debat në seancën e sotme shkaktoi edhe mënyra se si do të merret dëshmia e 5 shtetasve amerikanë. Vendimi i gjykatës për pyetjen e tyre mes letërporosisë u kundërshtua nga mbrojtja e Mediut, të cilët kërkuan pyetjen e tyre përmes video-konferencës.
Seanca e radhës për çështjen Gërdeci do të mbahet pas rreth dy javësh, në datën 9 Prill. Që prej rihapjes së hetimeve për Gërdecin, procesi ka hasur në një sërë zvarritjesh proceduriale. Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë.
/ZËRI