Aktualitet

Ishte kthyer në bosi droge në Ekuador/ Remzi Azemi: Xhaxhai ambasador më dërgoi për diplomaci

I arrestuar pak ditë më parë në Maqedoni, Azemi për herë të parë u mor në pyetje nga prokurori Cesar Pena, një ditë pas vrasjes së Hidrit, i cili ishte edhe i afërmi i tij, konkretisht vëllai i nënës.

k.m.
Ishte kthyer në bosi droge në Ekuador/ Remzi Azemi: Xhaxhai ambasador
Remzi Azemi

MAQEDONI E VERIUT- Remzi Azemi u arrestua pak ditë më parë në Maqedoninë e Veriut pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri, por edhe kishte dijeni për ekzekutimin e shqiptarit tjetër nga Mali i Zi, Fadil Kaçaniç. Të dyja ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2017 në Amerikën e Jugut.

I arrestuar pak ditë më parë në Maqedoni, Azemi për herë të parë u mor në pyetje nga prokurori Cesar Pena, një ditë pas vrasjes së Hidrit, i cili ishte edhe i afërmi i tij, konkretisht vëllai i nënës. Në dosjen e siguruar nga "A2 CNN", para hetuesit Azemi ka treguar për jetën e tij, se si merrte para nga familjarët,  e po ashtu edhe për mënyrën e veçantë sesi kishte shkuar në Ekuador. Në rrëfimin e tij ka treguar se në vendin e Amerikës Latine ka hyrë nëpërmjet një të afërmi të tij, diplomat në atë kohë, Blerim Canaj, ish-zv.ambasador i Kosovës në Gjermani, i cili e kishte dërguar për të krijuar kontakte diplomatike. Por nga viti 2014 deri në vitin 2017, asgjë nuk ishte realizuar.

“Kam ardhur me pushime, dhe prej kësaj kohe jam duke punuar për ndërtimin e marrëdhënieve Ekuador-Kosovë, pasi më ka dërguar xhaxhai im, i quajtur Blerim Canaj, i cili është ambasador i Kosovës në atë vend. Momentalisht jam duke kërkuar kontakte diplomatike, por nuk kam,”-tregonte ai.

I marrë në pyetje lidhur me vrasjen e Ilir Hidrit në 30 maj të vitit 2017, Azemi ka treguar për herë të parë se e njihte viktimën dhe kur ndodhi ngjarja kishte qenë i shtruar në spital.

“Zoti prokuror, më duhet të tregoj se meqenëse më 27 maj 2017, nuk e mbaj mend orën, kur jam shtruar në këtë klinikë për skopolaminë, pasi nuk është hera e parë që më ndodh, më duhet të tregoj sa vijon: E njihja si Genti, dikush tjetër e njihte me emrin David. Më thirri për të takuar një shok në aeroportin e Guayaquil. Nuk e mbaj mend datën, por ishte në gusht 2016 dhe prej aty e çova në shtëpinë time, që ndodhet në Bello Horizonte, Mz. 20. Vila nr 8, ku kam jetuar afërsisht deri në janar 2017. Që nga ajo kohë, shkova te një shok në Puerto Sana Ana, që është serb dhe quhet Luca. I thashë të më ndihmonte të më jepte një apartament, meqë ai nuk kishte pasaportë dhe do të ikte. Pasi ma la banesën mua, prej asaj kohe, shqiptarin nuk e kam parë. Nuk kisha asnjë problem me shqiptarin e vrarë, as për çështjen e shtëpisë, sepse ai paguante qiranë,"-tregoi ai. 

Por kush është Azemi?

Shqiptari nga Kosova Remzi Azemi, raportohet se ishte nën hetim nga autoritetet në Ekuador. Azemi ishte i dyshuar si një nga krerët e grupeve më të mëdha kriminale të Ballkanit, mesa duket përdorte një rrjet vajzash, të cilat bënin të mundur tërheqjen e parave, të cilat pretendonte se i vinin nga familja. Në vitin 2014, pasi dyshohej se ishte personi që fshihej pas vrasjes së Ilir Hidrit, pas prishjes së pazareve për lëndët narkotike. Disa vite pas vrasjes, më 10 nëntor 2017, Remzi Azemi ishte shënjestra e radhës nga grupet kriminale, por ia doli që të shpëtonte me një plagosje. Atentat iu bë edhe ortakut të Azemit, Fadil Kaçaniçit, i cili bashkë me Azemin dyshohet se kishin bashkëpunuar për t’i marrë një shumë prej 2 milionë dollarësh. Por ndërsa Azemi shpëtoi, Kaçaniç u eliminua së bashku me bashkëshorten. Që nga ajo kohë, emri i shqiptarit nga Kosova nuk u përmend më si i lidhur me grupe kriminale. Pra "thjesht u zhduk", por mesa duket ka vendosur që të vazhdojë jetën e tij shumë larg Ekuadorit, në Maqedoninë e Veriut. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB