
TIRANË – Duke nisur nga viti 2024, me vënien në punë të Qendrës të Monitorimit të Trafikut, akset kryesore rrugore në vendin tonë, do të jenë të monitoruara në kohë reale për çdo aksident, për kushtet e motit, shpejtësinë e makinave dhe për çdo parregullsi të automjeteve.
Drejtori i ARRSH, Evis Berberi deklaroi në një intervistë dhënë për SCAN, se janë gjithsej 200 kilometra që do jenë nën monitorim që nga viti i ardhshëm. Ai premton se çdo vit, do të shtohen kilometrat e rrugës, që do të vihen në monitorim.
“Janë gjithsej 200 kilometrat e para që do të monitorohen: Tiranë-Elbasan, Tiranë-Durrës, Rinas-Vorë, Durrës-Fier dhe Elbasan-Rrogozhinë. Pra bëhet një unazë, Tiranë-Elbasan-Durrës. Çdo vit ne do të shtojmë kilometrat e monitoruara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, deklaroi Berberi.
Si do të funksionojë Qendra e Monitorimit të Trafikut?
Drejtori i ARRSH, Berberi ka shpjeguar sesi do të funksionojë Qendra e Monitorimit të Trafikut. Ai tha se do të hiqen policët rrugorë nga akset dhe çdo gjë do monitorohet nga qendra e komandimit.
“Do të kemi radarë. Ne do të heqim policët nga rruga. Nuk do të ketë më policë rrugorë që do të dalin në këto akse. Do të kemi kamera sigurie për policinë e rendit, telefonat e emergjencës, matësit e kohës, radar për motin, peshëmatës. Të gjitha këto do të monitorohen në një godinë. Për një aksident që ndodh në një aks, do të jenë të informuar në kohë rekord të gjitha institucionet e përfshira”, tha Berberi.
Ai tha se do të ndiqet shembulli italian për të pasur nën kontroll automjetet. Çdo makinë do të monitorohet në bazë të targës dhe do të llogaritet edhe shpejtësia, në bazë të kohës së përshkrimit të aksit rrugor. Gjoba do të shkojë automatikisht, për çdokënd që thyen limitet e shpejtësisë. Po përmes targave, makinat do kontrollohen edhe për siguracionin, kolaudimin dhe parregullësitë e tjera./Zëri.ai/