TIRANË- Bashkimi Europian do të vendosë plotësisht në funksion sistemin e ri të hyrje-daljeve (EES) duke nisur nga 10 prilli 2026. Ky sistem i ri, i cili filloi të zbatohej gradualisht që më 12 tetor të vitit të kaluar në 29 vende europiane, do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaportë me regjistrime digjitale të hyrjeve dhe daljeve nga territori i BE-së, si dhe rastet e refuzimit të hyrjes për shtetasit jo të BE-së që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra.
Informacioni biometrik si imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me të dhënat personale nga dokumenti i udhëtimit që përdoret, do të regjistrohen gjithashtu.
Për kë zbatohet EES dhe kush është i përjashtuar?
Sistemi EES zbatohet për qytetarët jo-BE/Shengen që shkojnë në vendet e Shengenit ose të BE-së për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe udhëtarët e përjashtuar nga viza, pavarësisht nëse udhëtojnë për turizëm apo biznes. Kjo vlen edhe për njerëzit që zotërojnë prona në BE, por nuk kanë leje qëndrimi.
Megjithatë, Irlanda dhe Qiproja janë të përjashtuara nga përdorimi i EES, që do të thotë se ato do të vazhdojnë me kontrollet manuale të pasaportave. Në mënyrë të ngjashme, anëtarët e familjes së shtetasve të BE-së, të cilët mbajnë një kartë qëndrimi nga një prej këtyre vendeve, janë të përjashtuar, së bashku me banorët vendas me leje të vlefshme .
Udhëtarët me pasaportë të zakonshme do të duhet të kryejnë regjistrimin pranë sporteleve dhe të japin të dhëna si fotografia dhe gjurmët e gishtërinjve. Këto të dhëna ruhen për tre vite, duke e bërë më të shpejtë kalimin në udhëtimet e ardhshme. Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike çon automatikisht në refuzim hyrjeje. Fëmijët nën 12 vjeç nuk janë të detyruar të japin gjurmë gishtash, por duhet të fotografohen.
Ndërkohë, shoqatat e aeroporteve dhe linjave ajrore po vazhdojnë t'i kërkojnë Komisionit Evropian që t'u lejojë autoriteteve të kontrollit kufitar të pezullojnë pjesërisht ose plotësisht EES kur është e nevojshme për të gjithë sezonin e verës 2026.