
TIRANË-Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime te reja në ligjin për kazinotë, duke vendosur dhe një kriter tjetër shumë të rëndësishëm për të gjitha, subjektet që janë të interesuara në biznesin e lojërave të fatit. Sipas ndryshimeve të publikuara më 4 qershor, një nga kriteret e reja të detyrueshme për të gjithë aplikantët është që të jenë të certifikuar ose të klasifikuar sipas pikës 2, të nenit 35 të ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit”, si dhe të operojnë në një strukturë akomoduese të klasifikuar si hotel me 5 yje.
V E N D I M
PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.690, DATË 2.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZHVILLIMIT TË GARËS, KRITERET SHTESË PËR APLIKANTËT QË KONKURROJNË PËR T’U PAJISUR ME LICENCË PËR KATEGORINË “KAZINO”, E PROCEDURA E SHPALLJES SË FITUESIT, SI DHE RASTET E REVOKIMIT APO TË PEZULLIMIT TË KËSAJ LICENCE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun III, të vendimit nr.690, datë 2.9.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “kazino”, e procedura e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit te kësaj licence”, bëhen këto shtesa:
a) Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) Të jetë i certifikuar ose i klasifikuar në përputhje me përcaktimet e pikës 2, të nenit 35, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë.”.
b) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Certifikatë klasifikimi me 5 yje ose vërtetim nga institucioni përgjegjës që konfirmon se struktura akomoduese përmbush kriteret e përgjithshme për t’u klasifikuar si hotel me 5 yje.”.
2. Ngarkohen Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Përveç detyrimit të ri për klasifikimin me 5 yje, kriteret kryesore për subjektet që aplikojnë për licencë për “kazino” mbeten:
-Subjekti duhet të jetë shoqëri aksionare me seli në Shqipëri.
-Objekt i vetëm i veprimtarisë duhet të jetë loja e fatit sipas licencës përkatëse.
-Duhet të ketë eksperiencë të dokumentuar në këtë fushë.
-Kapitali i shoqërisë duhet të jetë jo më pak se 1.2 miliardë lekë të reja (rreth 12 milionë euro).