Aktualitet

Jo vetëm Gjelosh Kolicaj! The Telegraph përmend emra: Shqiptarët e dënuar që nuk u ekstraduan

Shumë shqiptarë, duke përdorur të drejtat e njeriut, nuk u ekstraduan në atdhe.

D.XH
Jo vetëm Gjelosh Kolicaj! The Telegraph përmend emra: Shqiptarët
Gjelosh Kolicaj dhe Resul Rehova

BRITANI E MADHE - Pastrimi i parave ishte i pacipë. Duke përdorur pasaportën e tij britanike, bosi i krimit me origjinë shqiptare, Gjelosh Kolicaj, ngarkonte valixhet e mbushura me tufa parash në peshoren e aeroportit, përpara se t'i dërgonte për në atdheun e tij. Kolicaj dhe vëllai i tij, Jak, drejtuan një ekip korrierësh droge prej katër personash, të cilët bënë më shumë se 80 udhëtime në dy vjet nga aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë Stansted, Belgjikën dhe Greqinë, për transportin e mëtejshëm në Shqipëri.

Ata u kapën, pasi policia përgjoi dy prej kontrabandistëve, njëri u kap me 180,000 £ dhe tjetri me 100,000 £. 180,000 £ u gjetën të mbështjella në paketim kafe në një qese plastike transportuese, e fshehur në një valixhe të dytë, të brendshme, ndërsa një nga korrierët u përpoq të udhëtonte nga Stansted në Selanik në Greqi.

Hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) që më në fund e kapën Kolicajn, llogaritën se ai dhe miqtë e tij kishin kontrabanduar pak më pak se 8 milionë paund fitime nga ndërmarrjet e grupit të tij të krimit të organizuar jashtë MB-së dhe në atdheun e tij. Krimineli 42-vjeçar u burgos për gjashtë vjet në vitin 2018 pasi u deklarua fajtor, por, tani i liruar, është i lirë të jetojë në MB, sepse përpjekjet e Sekretarit të Brendshëm për ta dëbuar atë janë frenuar nga gjyqtarët e imigracionit, pasi ai pretendoi se po i shkelen të drejtat e njeriut.

Kjo vendimarrje erdhi, pavarësisht provave nga NCA se Kulicaj mund të ishte rrezik, edhe pas lirimit nga burgu. Është një histori që zbulon absurditetet dhe zbrazëtirat në një sistem qeveritar, që tani premton të ndalojë kriminelët e regjur, që marrin nënshtetësinë britanike në radhë të parë dhe të dëbojë shkelësit e ligjit të huaj.

Historitë e shqiptarëve, që kanë kryer krime e nuk janë ekstraduar 

Kur dhe si u bashkua dhe u ngrit si një profil kriminal Gjelosh Kolicaj nuk dihet. Është e njohur vetë se pak pasi mbërriti në Britaninë e Madhe në 2005, ai u martua me një grua britanike. Kjo i mundësoi atij të siguronte leje të pacaktuar për të qëndruar në 2007 përpara se të fitonte shtetësinë e plotë dhe pasaportën e Mbretërisë së Bashkuar në shkurt 2009. Me përfitimin e dyshtetësisë, ai më pas u divorcua nga gruaja e tij për t'u martuar me një grua shqiptare me të cilën ka dy fëmijë, tani shtatë dhe pesë vjeç. Ajo tani po kërkon shtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar, bazuar në marrëdhënien e saj me të. Përpjekja për t’i hequr shtetësinë dështoi.

Kolicaj nuk është vetëm. Një analizë e Telegraph e vendimeve të gjykatës së imigracionit gjatë dy viteve të fundit tregon se gjykatat kanë vendosur vazhdimisht se të drejtat e njeriut të të dënuarve shqiptarë dhe kriminelëve të tjerë tejkalojnë rrezikun për publikun.

Shqiptari Ermal Gaxha, i dënuar me 27 muaj burg për plagosjen e rëndë të një kolegu të punës, të cilin e qëlloi me pistoletë, i shpëtoi dëbimit, për shkak të dëmit që do t'i shkaktonte marrëdhënies së tij të qëndrueshme me gruan dhe vajzën e tij britanike.

Edison Kullolli, një shqiptar i dënuar me nëntë muaj burg për sjellje kërcënuese, drejtim të rrezikshëm të mjetit dhe posedim kokaine, po ashtu ka shmangur dëbimin duke iu referuar Konventës të të Drejtave të Njeriut. Edhe Kristian Kodra, i burgosur për dy vjet për drejtimin e një bordelloje ku shitej drogë, u mbrojt po njësoj në gjykatë dhe nuk u largua nga MB.

Resul Rahova, i cili fitoi statusin e refugjatit në vitin 2012, u burgos për pesë vjet e gjashtë muaj, pasi u kap me 1 milion paund kokainë. Megjithatë, duke përmendur nenin 2 dhe 3 të KEDNJ-së mbi të drejtën e tij për të mos u torturuar, ai fitoi apelin kundër dëbimit, pasi pretendoi se do të ishte viktimë e një gjakmarrjeje, nëse do të kthehej në Shqipëri.

Edhe vuajtja e një gruaje mund të jetë një mbrojtje kundër dëbimit. Tregtari i drogës Gazmend Jaupaj, i burgosur me dy vjet për prodhimin e kanabisit, shmangu dëbimin, pasi pretendoi se masa do të ishte tepër e ashpër për gruan e tij britanike, teksa tha se ose të shkonte me të në Shqipëri ose të qëndronte në MB pa të.

Edhe Shefqet Vata, i cili luajti një rol të rëndësishëm në një grup të krimit të organizuar dhe u burgos me pesë vjet e shtatë muaj për trafik kokaine, i shpëtoi deportimit për shkak të rrethanave të tij familjare, përkatësisht gruas dhe tre fëmijëve.

Në të njëjtën javë kur The Telegraph zbuloi rastin e Kolicajt, u zbulua gjithashtu se gjyqtarët vendosën që një fanatik i ISIS-it, që hyri fshehurazi në Britani, mund të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar për arsye të të drejtave të njeriut, pavarësisht paralajmërimit të MI5 se ai përbënte një kërcënim terrorist për Britaninë.

“Ky rast i tmerrshëm tregon se GJEDNJ-në nuk na lejon të bëjmë ekstradime. Preteksti i të drejtave të njeriut pengon shumë”, thotë Robert Jenrick, ish-ministri i imigracionit, përvoja e të cilit në Ministrinë e Brendshme e ka bindur atë se qeveria duhet të marrë një qasje më të ashpër.

Kjo tani përfshin opsionin e daljes tërësisht nga GJEDNJ. "Kontrolli i kufijve tanë, sigurisht, do të ishte shumë më i drejtpërdrejtë nëse do të largoheshim nga rrjeti i ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të krijuara për një botë tjetër dhe të shtrirë përtej qëllimit të tyre, që na lidhin duart", argumenton Jenrick. Rasti i Gjelosh Kolicaj, që ishte burgosur me 6 vjet burg për pastrim parash dhe sërish nuk u ekstradua, ngjalli reagime në opinionin publik anglez./ZËRI/

Poll

MOS HUMB