
TIRANË- Policia e Tiranës ka nisur hetimet por ende nuk ka gjetur asnjë person të dyshuar për kërcënimin që i është bërë gjyqtares së Tiranës, Arnisa Këlliçi. Dje, në adresë të saj shkoi një letër, ku i kërcënonin me vrasje fëmijët, më konkretisht 2 djemtë e saj.
“E dashur Arnisa. Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë. Me respekt,”-shkruhej në letër.
Menjëherë ajo kërkoi mbrojtje pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por deri më tani, burime zyrtare nga Policia thanë për "TvKlan" se hetimet janë duke vijuar, por autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë personin që ka shkruar letrën. Detaj ky që më pas do të zbulonte dhe autorin e shkrimit të saj.
Nga ana tjetër, në letrën e dërguar pranë KLGJ, Këlliçi pretendon se ky ishte kërcënimi i dytë që i është bërë, pasi më herët ishte njoftuar edhe nga kancelari i Gjykatës së Tiranës për një kërcënim në emrin e saj.
Ndaj, aktualisht gjyqtarja është marrë në mbrojtje nga Policia./ZËRI