
TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokajr për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Apelit të Posaçëm që e dënoi me 2.8 vite burg për shpërdorim detyre. Apeli e dha vendimin më 23 dhjetor të 2024, por nuk është ekzekutuar pas Frrokaj është në arrati.
Për arrestimin e tij policia ka kryer disa kontrolle na banesën e tij, por ende ai nuk është gjetur aty. Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet ende në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar ilegalisht nga territori i vendit.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në 2017. Kryebashkiaku dhe 15 ish-zyrtarë të Bashkisë së Lezhës akuzohen se kanë bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte./ZËRI