
TIRANË-Teksa ndodhet në kërkim pas vendimit të Apelit të GJKKO që e riktheu në burg, ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs.
Frrokaj, ka kundërshtuar përmes rekursit vendimin e Apelit të Posaçëm që e dënoi me 2.8 vite burg për shpërdorim detyre më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Ai i kërkon pezullimin e dënimit të dhënë deri në shqyrtimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.
Pas vendimit për t'u rikthyer në burg, ish-kryebashkiaku është arratisur. Frrokaj nuk u gjet në banesë, gjatë kontrollit që u krye nga uniformat blu për të ekzekutuar urdhrin e SPAK për kthimin e tij në qeli. Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet ende në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës.
Ish-zyrtari vendor u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e pronave në vendin e njohur si Rana e Hedhun. Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në 2017. Kryebashkiaku dhe 15 ish-zyrtarë të Bashkisë së Lezhës akuzohen se kanë bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte./ZËRI