
TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar për protestat që po zhvillohen në vend duke kërkuar nga institucionet t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe duke bërë thirrje për dialog e vetëpërmbajtje.
Në deklaratën zyrtare, KMSH thekson se e drejta për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore. Njëkohësisht u bën apel të gjitha palëve të shmangin dhunën, gjuhën nxitëse dhe veprimet që mund të thellojnë përçarjen.
“Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve”, thuhet në reagimin e Komunitetit Mysliman.
KMSH thekson gjithashtu se ruajtja e paqes dhe respekti i ndërsjellë janë përgjegjësi e përbashkët, ndërsa dallimet politike dhe shoqërore nuk duhet të cenojnë bashkëjetesën.
Në përfundim, institucioni fetar bën thirrje që dialogu dhe e mira e përbashkët të udhëheqin veprimet e të gjitha palëve, në mënyrë që kërkesat e qytetarëve të dëgjohen dhe tensionet të mos përshkallëzohen.
DEKLARATË E KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.
Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.
Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.
Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.
Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.
Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.
Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.
Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!/ZËRI