VLORE- Disa ditë më parë "ZËRI" publikoi denoncimin e banorëve të Novoselës ku kodra e fshatit Mifol po gërryhej nga një kompani private edhe pse ishte zona më e bukur e fshatit, e mbjellë me pemë dhe ullishte dhe më tej ndodheshin varrezat. Por kush është kompania që ka bërë këtë masakër? ZËRI mësoi se bëhet fjalë për kompaninë "2A Group" e cila është aksionere edhe në ndërtimin që po bëhet te Aeroporti i Vlorës. Kjo kompani ka marrë dherat nga Kodra e Mifolit për ti çuar në kantierin e aeroportit.
IKMT në Vlorë bëri një pezullim të punimeve dhe ka gjobitur kompaninë ndërkohë që askush nuk flet sesi do të rikuperohet dëmi.
Banorët e zonës, Kristaq Lala, Piro Hoxhara dhe Ilia Mocka kanë përgatitur dhe një kallëzim për këtë kompani.
Një vendim i vitit 2014 nga Këshilli i Komunës Novoselë ka përcaktuar se kodra është një vend për ndërtimin e varrezave të Mifolit dhe si e tillë nuk mund të zhbëhej nga privati.
Ndërsa Bashkia dhe kompania private nuk japin asnjë përgjigje për masakrën mjedisore në Kodrën e Mifolit, prefektura shpjegon se është duke pritur një përgjigje.
"Në mbështetje të Ligjit nr. 107/2016 “Për Prefektin e Qarkut”, të ndryshuar, ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe në vijim të kërkesës suaj, ju informojmë se nga monitorimi i kryer në fshatin Mifol u konstatua prania e disa mjeteve të rënda (ekskavatorë/skavatorë, makina të rënda), të cilat në momentin e verifikimit ndodheshin në gjendje të fikur dhe pa aktivitet pune.
Në lidhje me këtë situatë, u komunikua me telefon Kryetari i fshatit Mifol, z. Kastriot Çobo, dhe u realizua një takim me të, gjatë të cilit u kërkua informacion mbi aktivitetin që kryejnë këto mjete në territorin e fshatit. Sipas deklarimit të Kryetarit të fshatit, mjetet i përkasin firmës ndërtuese të Aeroportit të Vlorës dhe materiali i nxjerrë transportohet për nevojat e këtij projekti.
Në vijim të kësaj situate, Prefekti i Qarkut Vlorë i është drejtuar Bashkisë Vlorë me shkresë zyrtare, me nr. 184 prot., datë 28.01.2026, gjithashtu Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe IKMT Vlorë, për tu kërkuar informacion më të detajuar dhe të dokumentuar lidhur me këtë çështje."-thuhet në reagimin e Prefekturës Vlorë.
Kush fshihet pas kompanisë 2 A Group? Pronari i kësaj kompanie është Valon Ademi, aksioneri me 2% në aeroportin e Vlorës, i cili paralelisht ndodhet në një proces penal me biznesmenin Behgjet Pacolli. /ZËRI
