Aktualitet

Komandanti i KFOR: Situata në Kosovë e paqëndrueshme

Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia deklaroi se një sërë zhvillimesh dramatike në Kosovë, kanë tensionuar situatën

D.XH
Komandanti i KFOR: Situata në Kosovë e paqëndrueshme
Komandanti i KFOR, Angelo Michele Ristuccia

PRISHTINË – Komandanti i KFOR-it, general major Angelo Michele Ristuccia, ka deklaruar sot në një konferencë për media se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë treguar se situata mbetet e paqëndrueshme.

Ai tha se situata rrezikon edhe përshkallëzimin e të dalë jashtë kontrollit. Ristuccia, që është dhe në fund të mandatit të tij, si komandant i KFOR-it në Kosovë, u shpreh se ngjarjet e rënda të 24 shtatorit kanë kërkuar përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike, që të shuhen.

Ristuccia, sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, e ka quajtur “sulm të dhunshëm ndaj Kosovës”.

“Gjatë 2023 janë bërë përpjekje dhe punë të palodhura, duke u përballur me shumë vështirësi, si çështja e targave, dorëheqja masive e serbëve nga istitucionet e Kosovës, organizimi i zgjedhjeve nën tension në veriun e Kosovës, bllokimet e rrugëve.

Po ashtu, jo pak të rënda ishin edhe sulmet ndaj KFOR-it më 29 maj. Edhe ngjarjet e qershorit ishin problematike, me policë të Kosovës që rrëmbehen në kufi, e tashmë kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë. Situata e sigurisë është vënë në sprovë. Të gjitha këto ngjarje treguan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të përshkallëzohet”, tha Ristuccia.

Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup serbësh të armatosur, kanë sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku, ndërsa Policia e Kosovës u kundërpërgjigj, duke vrarë 3 terroristë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB