
TIRANË- Antoneta Sevdari, prokurorja e kthyer në detyrë të premten nga një vendim i KPA, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, pjesë e së cilës ka qenë më herët. Ndonëse vendimi i KPa ka efekt të menjëhershëm nuk ka mundur të nisë detyrën sepse vendimi i konfirmimit të saj në detyrë nuk i është përcjellë ende institucionit.
Rasti i Sevdarit shënon një precedent në procesin e Vetingut, për shkak se është rikthimi i saj është i parë pas një vendimi të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Përpos rikthimit në detyrë, shteti shqiptar duhet t’i kthejë Sevdarit pagat e prapambetura, që nga koha kur u përjashtua më datë 28 shkurt 2019.
Në dhjetor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut iu përgjigj pozitivisht ankesës së Sevdarit duke e konsideruar shkarkimin e saj nga detyra të pajustifikueshëm dhe “disproporcional” me qëllimin e ligjit për kontrollin kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve.
Megjithatë, u desh gati edhe një vit e gjysmë pas vendimit të Strasburgut dhe shumë seanca gjyqësore që KPA të merrte vendimin për të rikthyer në detyrë Sevdarin.
Gjatë shpalljes së vendimit të premten, kryesuesja Mulaj solli në vëmendje se procesi i rivlerësimit kalimtar mund të përfundojë vetëm me dy alternativa, atë të konfirmimit apo të shkarkimit nga detyra. Sipas saj, përderisa nuk u konstatuan elementë që do justifikonin dhënien e një mase të përkohshme, Kolegji arrin në konkluzionin se vendimarrja e GJEDNJ-së është e detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar.
“Për sa kohë, dhënia e masës së shkarkimit është çmuar nga GJEDNJ-ja se ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për rrjedhojë, trupi gjykues në vijim të konkluzioneve të mësipërme vlerëson se vendimi i KPK duhet të lihet në fuqi. Trupi gjykues, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për subjektin e rivlerësimit Antoneta Sevdari”, tha Mulaj ndër të tjera.
Pas vendimit të shpallur në ditën e Drejtësisë, prokurorja Antoneta Sevdari deklaroi për mediet se ndihej shumë e gëzuar që në fund arriti të marrë drejtësi.
“Ndihem shumë e gëzuar që në fund arrita ta marr drejtësisë që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e përkushtuar në shërbim të saj”, deklaroi Sevdari në fund të procesit.
Një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut me ankesa për procesin e vetingut, duke pretenduar padrejtësi. Strasburgu ka pranuar pjesërisht disa kërkesa dhe ka rrëzuar disa të tjera. Në total Strasburgu ka vërejtur se nuk ka një problem sistemik me procesin e vetingut në tërësi.