
TIRANË-Kreu i SPAK, Altin Dumani paraqiti sot në KLP raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme, ku u ndal edhe tek puna e hetuesve të BKH. Dumani vuri në dukje faktin se në godinën aktuale puna e tyre vështirësohet për shkak të ambientit të vogël, por shtoi se me godinën e re, që pritet të përfundojë brenda këtij viti, ata do të kenë kushte më komode.
Sipas kreut të SPAK, në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetjen e dëshmitarëve, të cilat do të jenë me audio dhe video, shqetësim që është konstatuar më herët edhe nga kryeministri Rama.
Altin Dumani: Kemi 60 hetues të BKH të ndarë në dy seksione. E kam thënë dhe tani e them sërish, kemi hetues të BKH shumë të mirë, të zbardhur në faqe, që edhe prokurorit ia bën punën më të lehtë. Ka edhe hetues që lënë për të dëshiruar. Ka një proces vlerësimi që bëhet nga BKH dhe Prokurorë të Posaçëm që testojnë çdo dy vjet hetuesit e BKH. Ka hetues dhe janë për të dëshiruar, është punuar fort për trajtimet e tyre nga BE, apo edhe projekte të tjera. Punohet shumë me ta. Kushtet nuk i kemi pasur të mira për të ushtruar funksionet hetuesi të BKH. Janë 4-5 hetues në një zyrë, çka e vështirëson qoftë edhe marrjen në pyetje të një dëshmitari. Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij vitit të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre. Në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje se të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne.
Kryeministri në një mga mbledhjet e Grupit të PS, duke iu drejtuar ministrit të drejtësisë Ulsi Manja, kërkoi që seancat e marrjeve në pyetje nga Prokuroritë të regjistrohen. Kreu i qeverisë asakohe u shpreh se pavarësisht fondeve të mëdha të alokuara për drejtësinë, hetuesit ende nuk përdorin mjete moderne për regjistrimin e intervistave me personat që merren në pyetje.
Edi Rama: Si ka mundësi Ulsi ministri i Drejtësisë dhe ti kryetar i komisionit të Financave që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar fonde, dy fonde janë në buxhetin e shtetit shqiptar që janë komplet jashtë trajektores normale, fondi i mbrojtjes dhe fondi i drejtësisë, paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat që marrin në pyetje dhe i mbajnë me orë të tërë dhe në fund i japin një copë letër. Se kam shkuar unë flisja dhe ai ia bënte makinës daktoligrafike, sa shkon atje tek dhoma e para njëherë i tregohen të drejtat dhe i shtypet regjistrimi, këtu Filip Çakullit t’i merrni dhe t’i bëni një kontratë hajde na ndihmo nëse nuk, kemi lek të regjistrojmë njerëzit që vijnë, ç’lidhje ka kjo me ne këtu, në fund të ditës kemi kusurin e baltës më të madhe por kemi edhe mikrofonin, dhjetëra punonjës të administratës që thirren atje, sikur të kishim inspektorë të lartë të drejtësisë, por si mundet të shikojmë pak si respektohen të drejtat e njeriut. Kur futesh atje je në një republikë tjetër atje.