Politikë

Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca mbizotëroi kaosi

Në total 41 deputetë nuk patën asnjë diskutim, duke u kthyer në “memecë” të jetës parlamentare ndërsa rreth 30 deputetë të tjerë nuk dëshmuan ndonjë kontribut real në komisione ose në seancat plenare.

E.K
Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca
Kuvendi i Shqipërisë, Salla Plenare

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka përmbushur misionin e tij siç duhet, të paktën në tre muajt e fundit të tij, shtator-dhjetor 2023, muaj ku u dominua nga kaosi parlamentar dhe përplasjet e forta mes opozitës dhe mazhorancës. Kjo e fundit e favorizuar dhe numrat në Kuvend, është ndjerë e pashqetësuar sa i përket rrezikimit të pushtetit, duke shtuar këtu dhe votat e Partisë Social Demokrate të Tom Doshit (Një aleancë informale), duke arritur një kontroll numerik të Parlamentit. Gjetjet janë adresuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP).

Gjatë tre muajve të fundit, 50% e aktivitetit parlamentar ishte informal, me një mazhorancë që miraton akte ligjore pa debat dhe një opozitë që tenton të pengojë fizikisht dhe me mjete joparlamentare funksionimin e Kuvendit. Ndalur tek votimet në Kuvend, votimi i buxhetit të vitit 2024, si kurrë më parë u miratua për vetëm 8 minuta, nën kaos e zhurmë. Ndërsa dhe seancat e tjera, u kryen me shpejtësi ndërsa ligjet miratoheshin pa debat.

Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca
Tabela

Ndërkohë problem ishte dhe funksionoimi i Komisioneve Parlamentare, të cilat maxhoranca i kaloi online pas bllokimit të tyre nga opozita. Në këtë rast kishim të bënim me shkelje të rregullores, e cila parashikon mbajtjen e mbledhjeve online vetëm në rastet e pandemisë apo gjendjeve të jashtëzakonshme. Asnjëra prej tyre nuk qëndronte, por sërish mbledhjet u kryen online, madje ligjet miratoheshin nga kafet, duke i dhënë makinës apo dhe mes të qeshurave.

Sa i përket rolit të Kuvendit, si monitorues dhe rregullator i punës së Qeverisë dhe këtu ka “mbetur në klasë”. Kuvendi nuk miratoi asnjë reformë të rëndësishme gjatë sesionit të vjeshtës. Aktet e miratuara janë kryesisht në funksion të agjendës ditore dhe nevojave të Këshillit të Ministrave, i cili ishte iniciues i 100% të ligjeve të miratuara.

Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca
Tabela

Monitorimi i ISP është ndalur dhe tek roli i Presidentit të Republikës në dekretimin e ligjeve të dëerguara nga Qeveria.

“Një vlerësim kritik meriton edhe roli i Presidentit të Republikës, i cili dekretoi pa rikthim të gjitha aktet ligjore të miratuara pa procedurë të rregullt në parlament. Argumenti i zyrës së Presidentit, se kthimi i ligjeve bëhet vetëm kur ka shkelje të Kushtetutës, është relativ dhe nuk bind, përshkak se nuk është Presidenti por Gjykata Kushtetuese organi që përcakton përputhshmërinë kushtetuese të një akti, dhe se Presidenti ka përgjegjësinë kushtetuese për te dekretuar vetëm akte që plotësojnë të gjithë parametrat ligjorë. Nëse procedura e miratimit nuk ka vlerë juridike, numërimi i votave nuk ka vlerë juridike, atëherë humb sensi i rolit ligjvënës të Kuvendit dhe rolit dekretues të Presidentit. Në rastin e ligjit për shtetësinë me të drejtë Presidenti ktheu ligjin duke konfirmuar se nuk është respektuar neni 81 i Kushtetutës, ku në votim kërkoheshin 84 vota. Pra në këtë rast Presidenti numëroi votat e deputetëve të pranishëm në tri votimet, në parim, nen për nen dhe në tërësi, kurse në rastin e ligjeve të periudhës 30 tetor − 21 dhjetor nuk u numëruan votat dhe as nuk u mor në konsideratë fakti se nuk pati dokumentim të votave dhe as mundësi për të provuar se deputetët e deklaruar kanë ushtruar të drejtën e votes”.

Deputetët më aktivë dhe me bilanc pozitiv në parlament ishin Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa nga Partia Demokratike, ndërsa nga radhët e socialistëve, spikatën me performancën e tyre Erion Braçe dhe Klotilda Bushka. Në total, 41 deputetë nuk patën asnjë diskutim, duke u kthyer në “memecë” të jetës parlamentare ndërsa rreth 30 deputetë të tjerë nuk dëshmuan ndonjë kontribut real në komisione ose në seancat plenare. Konkretisht: Agron Çela, Anduel Tahiraj, Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Arben Ahmetaj, Arkend Balla, Baftjar Zeqaj, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Enslemvera Zake, Ervin Salianji, Evis Kushi, Flamur Hoxha, Frrok Gjini, Gertjan Deda, Gledis Çeliku, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Ilir Ndraxhi, Ilir Topi, Jurgis Çyrbja, Kasem Mahmutaj, Kastriot Piroli, Klevis Xhoxhi, Laert Duraj, Luan Duzha, Luljeta Bozo, Lulzim Basha, Meri Markiçi, Merita Bakiu, Mesila Doda, Niko Kuri, Nusret Avdulla, Oriela Nebiaj, Orjola Pampuri, Ornaldo Rakipi, Paulin Sterkaj, Petrit Doda, Seladin Jakupllari, Shkëlqim Bullari dhe Shpëtim Idrizi.

Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca
Tabela

Gjatë periudhës shtator-dhjetor 2023, Kuvendi vendosi rekord historik me 63 penalizime disiplinore ndaj deputetëve, ku përfshihen 55% e deputetëve të opozitës. Këtu Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, janë me rekorde përjashtimi. Rastet e penalizimeve gjatë vitit 2023 shënojnë statistikë më të lartë sesa legjislaturat 2005. Niveli i zbatimit të rregullave etike dhe të sjelljes është i dobët dhe kjo evidentohet në mungesën e vullnetit politik për të siguruar zbatimin e standardeve të vendosura megjithëse standardet kanë një qasje të mirë menduar ndaj etikës duke u harmonizuar edhe me standardet ndërkombëtare.

Raporti/ 41 deputetë në Kuvend 'memecë', në seanca
Tabela

Sipas ISP, Kuvendi inicioi ndryshime të njëanshme në Rregullore dhe Sekretariati për Etikën mori vendime disiplinore kolektive të pabazuara në verifikime, fakte dhe proces të drejtë. Kryetarja e Kuvendit, në disa raste, ka marrë masën disiplinore “Përjashtim nga seanca plenare” ndaj deputetëve të opozitës por në asnjërin prej këtyre rasteve masa e marrë nuk është formalizuar me aktin juridik konkret të përcaktuar me Rregullore Kuvendi.

Problem mbetet dhe krijimi i vakancave në insitucionet e larta të vendit.

“Kuvendi nuk përmbushi funksionin e vet zgjedhor, duke krijuar 23 vakanca, përfshirë vakancën për Avokatin e Popullit dhe Komisionerin kundër Diskriminimit, dy institucione me rëndësi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Mosrespektimi i afateve nga organet e përfshira në procesin zgjedhës/emërues ndikon negativisht në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vetë institucionit, pavarësisht se ligjet organike garantojnë vazhdimësinë institucionale duke lënë hapësirë për qëndrimin në detyrë të anëtarit të organit deri sa të zëvendësohet. Rastet e dorëheqjeve apo shkarkimit nga detyra krijojnë boshllëk institucional. Në disa raste vazhdimësia garantohet vetëm për tre muaj. Po ashtu, Kuvendi nuk arriti të marrë vendim për rotacionin nga shoqëria civile dhe grupet e interesit në organet e rëndësishme të qeverisjes së drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, – shenjë kritike që mund të lexohet edhe si pakt i heshtur për të shtyrë mandatet aktuale të zyrtarëve me mandat të përfunduar në këto organe”, vëren ISP.

Po ashtu, u evidentuan disa raste kur drejtues të komisioneve parlamentare zhvilluan konsultime individuale në zyrat e tyre me drejtues të institucioneve dhe të grupeve të interesit, të pa protokolluara dhe të pa raportuara ato në dokumentacionin parlamentar. Praktika të tilla krijojnë dyshime mbi integritetin e vendimmarrjeve në parlament dhe ndikimet negative që mund të sjellin lobimet informale. Por këtu nuk jepen emra.

Probleme ka pasur dhe në emërimin e ministrit të Financave Ervin Mete.

“Më 11 shtator Kuvendi u ndodh në një situatë atipike, kur ministri i ri i financave ishte njëherësh edhe drejtor i AMF−së, papajtueshmëri e përcaktuar nga Kushtetuta si kriter për dekretim si ministër. Përmes një procedure të negociuar palët (Presidenti, Kryeministri dhe Kuvendi) e gjetën zgjidhen duke bërë dy votime, fillimisht shkarkimin nga funksioni në AMF dhe më pas dekretimin si ministër. Shkarkimi u bë nga dy pozicione, si Kryetar i Bordit të Autoritetit për Mbikëqyrjen Financiare si dhe nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, porsi i tillë mbetet një vendim tërësisht i paqartë (botuar edhe në Fletoren Zyrtare nr. 133/2023) për sa kohë që personi në fjalë nuk ka mbajtur funksionin e Kryetarit të Bordit, por atë të anëtarit të Bordit që mbante funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv”, thuhet në raport./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB