
TAJLANDË- Autoritetet tajlandeze janë në garë për të ndaluar rreth 100 kontejnerë transporti të mbushura me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria. "Basel Action Netsork", një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, informoi Tajlandën se kontejnerët po shkojnë drejt vendit të tyre. Mendohet se brenda kanë pluhur të dëmshëm të furrave me hark elektrik. Po ashtu, lajmëruan se një nga anijet që transportonte kontejnerët nuk është e dukshme në shërbimet e gjurmimit të vendndodhjes detare.
"U zhduk ndërsa iu afrua Cape Town në fund të muajit të kaluar,"-bën me dije i njëjti burim për "Bloomberg". Zyrtarët tajlandez, pasi morën informacionin se kontejnerët ishin ngarkuar në anije në Shqipëri në fillim të korrikut, thonë se po punojnë me homologët në Shqipëri dhe Singapor, ku anijet do të ankorohen në fund të për muajit për të ndaluar ngarkesat.
"Agjencitë qeveritare nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa. Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm,"-shkruhej në një email nga Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve.
Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina. Sipas Konventës së Bazelit - një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara - vendet e treta duhet të japin pëlqimin që të grumbullojnë mbeturinat.
Ndërkohë që në Shqipëri, drejtoria e Doganave ka reaguar lidhur me lajmin se rreth 800 tonë mbetje të rrezikshme metalurgjike janë nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Doganave bën me dije se në kuadër të bashkëpunimit me ëCO dhe mbi bazën e informacioneve të shkëmbyera me Konventën e Bazel dhe OLAF, kanë identifikuar një ngarkesë të dyshimtë, e cila është nisur nga Porti i Durrësit dhe ka bërë transhipment në Trieste dhe Pire.
“DPD, OLAF dhe strukturat e tjera të përfshira po bashkëpunojnë aktivisht për të lokalizuar ngarkesën gjatë transportit dhe për të verifikuar nëse ngarkesa është 'mbetje",”- thuhet në reagim.
Ndërkohë, konterinerët janë planifikuar të mbërrijnë në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht. Po ashtu, një tjetër ngarkesë prej rreth 60 kontejnerë, të cilat fillimisht u ngarkuan në një anije MSC jashtë Shqipërisë, janë drejtuar për në Singapor në Maersk Candor.
Campton pritet të ndalojë në Singapor më 14 gusht dhe Candor pritet atje më 22 gusht. MSC nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Sipas "Bloomberg", para publikimit të lajmit, edhe autoritetet shqiptare që merren me autorizimin e eksporteve të mbetjeve dhe autoritetet portuale të Singaporit gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./ZËRI