
TIRANË- Laurent Spaho, Klajdi Bitri, Alfred Visha, Anselam Senaj, Lorenc Dedaj dhe Leonard Farruku, ishin në lule të rinisë, teksa humbën jetën në rrethana të ndryshme jashtë atdheut vitin e kaluar. E përbashkëta e familjeve të tyre, përveç tragjedisë që ka hapur plagë që nuk do të mbyllen kurrë, është edhe pamundësia ekonomike me të cilën janë përballur për të sjellë trupat në atdhe. Sa më larg vendlindjes, aq më të mëdha llogariten të jenë dhe kostot e dërgimit të trupave të tyre pranë familjeve në Shqipëri, ku zakoni e do që të kryhen dhe nderimet e fundit, përpara se të prehen në varreza.
Lorenc Dedaj, vetëm 21 vjeç u vra në datën 30 Dhjetor në Gjermani, pak kohë pasi kishte shkelur tokën atje, në kërkim të një ardhmeje më të mirë, për veten, e padiskutim për familjen që e kishte lënë në gjendje të vështirë ekonomike. Të afërmit e tij bënë thirrje për ndihmë përmes një llogarie më gofoundme, ku kërkojnë mbledhjen e fondeve për të, në vlerën e rreth 20 mijë eurove.
E njëjtë është dhe brenga që mundonte të motrën e Leonard Farrukut, i cili i dha fund jetës në datën 12 Dhjetor në Britaninë e Madhe, teksa mbahej në anijen hotel, në pritje të përgjigjes së kërkesës për azil. Pasi kishte humbur prindërit, ndarja nga jeta e Leonardit, do të ishte fundi për motrën e tij, e cila jetonte në Itali. Apelit të saj për ndihmë iu përgjigjën në kohë shqiptarët, të cilët i siguruan Leonardit një udhëtim të fundit drejt Shqipërisë, pa rënduar motrën që ka mbetur e vetme. Shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë reagim për rrethanat e vetëvrasjes së tij, edhe pse gjendja e vështirë dhe e ngarkuar emocionale ishte raportuar më herët te autoritete përgjegjëse për emigrantët.
Në rrethana më të vështira kanë qenë më herët dhe familjarët e Alfred Vishës, babait të tre fëmijëve që humbi jetën në një aksident në punë në Hamburg të Gjermanisë. Pas ditëve të gjata në agoni, familja mes dhimbjes, por edhe ndërgjegjes së rrënuar kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të kthyer trupin në atdhe. Pikërisht për shkak të ekonomisë së dobët, Alfredi ishte detyruar që të linte pas prindërit, nusen dhe 3 fëmijët, e të pranonte që të punonte në të zezë në kantieret e ndërtimit në Gjermani.
Anselam Senaj, është një tjetër shqiptar që u vra jashtë atdheut përgjatë vitit të kaluar. Ai humbi jetën pas një konflikti në Britaninë e Madhe, ku mbeti i vrarë me thikë. Ishte motra e tij ajo që kërkoi ndihmë për sjelljen e trupit, ndërkohë që shqiptarët arritën të mblidhnin dyfishin e shumës së kërkuar, që ishte 10 mijë stërlina.
Heroik ishte akti i Klajdi Bitrit, 23 vjeçarit nga Fieri që mbeti i vrarë në muajin Gusht në Itali, teksa u fut që të shuante një sherr ku ishte përfshirë miku i tij. Klajdi mbeti viktimë e një gjuajtje me thikë, ndërsa familja u përplas me vështirësitë ekonomike për tërheqjen e trupit. Edhe atëherë ndihma u dha, por nga shteti shqiptar nuk u dëgjua asnjë fjalë, qoftë edhe për aktin heroik të të riut shqiptar.
Laurent Spaho, vetëm 20 vjeç, u vra në datën 8 Maj 2023 në Suedi. Ai dyshohet se u vra nga disa shtetas arabë jashtë një klubi nate në Suedi. Babai i 20 vjeçarit do të falenderonte më pas shqiptarët për ndihmën e dhënë për kthimin e trupit, ndërsa apelonte që të jepej ndëshkimi i merituar për autorët.
Por përtej shqiptarëve që kanë ditur të bëhen bashkë në rrethana të vështira, aq më shumë në raste humbjesh të jetëve njerëzore, kambanat e thirrjes bjenë për shtetin. A ka ardhur koha që shteti shqiptar të krijojë një fond të posaçëm për kthimin e trupave të shqiptarëve që humbin jetën jashtë vendit duke iu kursyer familjarëve një plagë edhe më të madhe, që është ajo e kërkimit të lëmoshës? Në ligjin që ka Shqipëria për transportimin e trupave të personave që humbin jetën jashtë vendit, nuk e ka të parashikuar në asnjë rast mbulimin e kostove të transportit të kufomave. Në ligj parashikohen vetëm procedurat që duhet të ndiqen për kufomat që hyjnë në territorin shqiptar.
Çfarë parashikon ligji:
Kufomat, që transportohen nga jashtë shtetit, duhet të jenë të shoqëruara nga një dokument i veçantë. Ky dokument lëshohet nga autoriteti përgjegjës i shtetit nga sillet kufoma:
2. Për futjen në vend të kufomave, që vijnë nga shtetet e tjera, i interesuari për transportimin e kufomës duhet të paraqesë, nëpërmjet autoriteteve përkatëse ose personalisht, në autoritetin konsullor shqiptar, në shtetin ku ka ndodhur vdekja:
a) kërkesën për lejen e transportimit te kufomës për ne Shqipëri;
b) certifikatën e vdekjes, te lëshuar nga autoritetet përgjegjëse;
c) certifikatën e organeve përgjegjëse, qe vërteton se janë respektuar te gjitha kushtet
sanitare për transportimin e kufomës.
Dokumentacioni i mësipërm paraqitet nga i interesuari me rrugë postare ose me faks.
Për shtetet ku Republika e Shqipërisë nuk ka përfaqësi diplomatike, kërkesa e mësipërme dërgohet ne përfaqësinë, nga e cila mbulohet ai shtet.
3. Autoriteti konsullor shqiptar, pasi kontrollon rregullsinë e dokumentacionit te paraqitur dhe pasi bën verifikimin ne autoritetet përkatëse qe kane lëshuar dokumentet e mësipërme, lëshon lejen për futjen e kufomës ne Republikën e Shqipërisë. Leja i lëshohet drejtpërdrejt te interesuarit dhe autoritetit përkatës me poste ose me faks. Autoriteti konsullor shqiptar njofton Ministrinë e Punëve te Jashtme, ministrinë që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike dhe prefektin e qarkut ose kryetarin e njësisë vendore ku do të çohet kufoma.
Në disa raste shteti shqiptar ka ndërhyrë për sjelljen e trupave të pajetë, siç ishte dhe rasti i viktimave të koronavirusit, ku përmes një vendimi të marrë nga Ministria e Transportit asokohe, u sigurua që të gjithë shqiptarët që kishin ndërruar jetë jashtë vendit të silleshin pa kosto në atdhe. A ka ardhur koha që kjo të ndodhë për këdo, për shtetin kjo do të sillte një kosto të papërfillshme. Për familjen do të lehtësonte shumë./ ZËRI