
TIRANË- Që prej marrjes së detyrës në krye të RTSH-së, Alfred Peza nuk ka qenë njeriu më i pëlqyer as për rrjetin, por ca më shumë për punonjësit e Radio Televizionit Publik. Me ardhjen e tij në krye të RTSH-së ka pasur një sërë akuzash për pushime masive nga puna, si dhe për emërime të çuditshme në postet drejtuese, siç ishte dhe ai i një 23-vjeçare në krye të programacionit, të televizionit, që ka një staf prej rreth 1 mijë personash.
Disa prej personazheve kanë folur publikisht për këto padrejtësi, siç ishte rasti i gazetarit Bledi Strakosha, regjisores Arnita Beqiraj, dhe së fundi virale u bë dhe denoncimi i Alketa Vejsiut. Kjo e fundit në një qëndrim publik në rrjetet e saj sociale, do të denonconte dhe akuzonte Pezën për sjellje çnjerëzore dhe antiligjore në drejtim të partneres së babait të saj, e cila punonte në RTSH për 30 vite.
Ajo kishte marrë leje pa të drejtë page nga puna, për të qëndruar pranë bashkëshortit të saj në ditët e fundit të jetës, por pas humbjes së tij u përball dhe me pushimin nga puna. Më shumë sesa faktori ekonomik, që Vejsiu tha se zonjës nuk do ti mungonte, ajo e akuzonte Pezën për sjelljen e tij brutale. Ndërkohë që një tjetër akuzë që është bërë së fundi në drejtim të Pezës, lidhet me realizimin e festivalit të këngës në RTSH, i cili ishte më i shtrenjti në histori për nga kostot por jo më i arriri për nga realizimi.
Që në netët e para të Festivalit, këngëtarët hodhën akuza se kishin probleme me audion, dhe me koordinimin me orkestrën, ndërkohë që dhe niveli i moderimit la shumë për të dëshiruar.
Një tjetër episod që irritoi shumë shqiptarët, ishte dhe lënia në mes e projektit “Njerëz dhe Fate”, që aktorët do ta risillnin në RTSH. Ishte iniciativa e aktorit Arben Derhemi, ajo që mblodhi kastin e aktorëve së bashku, por në mënyrë të njëanshme Peza vendosi që të mos e vazhdonte kontratën. Aktorët ju detyruan që të hapnin një llogari në gofoundme në mënyrë që të mblidhnin para për të realizuar filmin, një prej më të dashurve për shqiptarët.
Të gjitha këto e kanë bërë Alfred Pezën, ish-deputetin pasanik të socialistëve, një prej njerëzve më të urryer dhe në rrjetet sociale.
/ZËRI