TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj tij, që lidhet me ndryshimet në ligjin e minierave.
Kërkesa është bërë përmes avokatit të tij, i cili ka paraqitur listën me 11 dëshmitarë që sipas mbrojtjes duhet të thirren në këtë çështje. Mes tyre përfshihen kryeministri Edi Rama, si edhe ish-zyrtarë dhe deputetë të ndryshëm si Eduart Shalsi, Gramoz Ruçi, Petrit Vasili, Taulant Balla, Namik Kopliku, Zamir dhe Eva Mane, si dhe Esmeralda Shkjau.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka argumentuar se akuzat e SPAK mbështeten në supozime dhe se disa figura kyçe politike nuk janë pyetur për rrethanat e miratimit të ligjit.
Në seancë, është dëgjuar edhe fjala e Metës, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë përfshirje në hartimin apo miratimin e ligjit për minierat dhe ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara.
Pjesë nga biseda në seancë:
Avokati Cakrani: Në intervistën që ka pasur gazeta Mapo me ambasadorin Donald Lu, ai është përgjigjur: “Ilir Meta është kryetar i Parlamentit shqiptar dhe ai është gjithashtu partner i SHBA. Ne do të vijojmë të kemi partneritet të fortë, ai udhëton shpesh në SHBA…”.
E sjell këtë episod për të kujtuar se në akuzën e SPAK pretendohet se vizitat e Metës kanë qenë të diktuara nga lobimet, por ambasadori i kohës thotë që Meta ishte mik i SHBA dhe udhëtonte shpesh.
Akuza bazohet mbi supozime.
Po diskutojmë disa muaj pasi Meta ishte bërë kryetar i Kuvendit. Ligji u propozua nga PS-ja, ndërsa LSI nuk ka pasur asnjë mundësi, për shkak të numrave, që të përcaktonte miratimin e tij.
Për vilën, u hoq dorë para se të kalonte ligji që ka shkuar në Kuvend dhe këtë ligj e ka mbrojtur kryeministri Rama, i cili me shumë patos ndau dy epoka të rëndësishme të minatorëve për servitutin.
Ku hyn zoti Meta në gjithë këtë histori?
SPAK nuk pyeti as Ramën, as Ruçin, as zotin Balla që të vinin e të na thoshin: “A i ka takuar Meta për këtë ligj?”.
Ndaj do t’i kërkoj që të vijnë e të dëshmojnë si dëshmitarë.
Dua apo s’dua, këta më dalin si dëshmitarë që duhen pyetur. Duhet të pyeten Esmeralda Shkjau, Eduart Shalsi, Namik Kopliku, deputet i qarkut Shkodër, i cili nuk është pyetur, si edhe kryesekretarja e Kuvendit.
Këto janë veprime hetimore që SPAK duhet t’i kishte kryer.
Dëshmitari tjetër që kërkojmë të thirret është Edi Rama.
Duam të provojmë nëse ndoshta ka biseduar dhe ne nuk dimë gjë. Ligji i minierave është amenduar në këtë periudhë dhe duam të na thotë çfarë ka ndodhur me këtë ligj.
Kërkojmë zotin Gramoz Ruçi si dëshmitar, që të kristalizohet kjo çështje dhe të merren disa mesazhe aty-këtu. Po mbajmë në burg ish-presidentin.
Të thirren edhe deputetë të tjerë, si kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, që të tregojë nëse ka folur me Monikën.
Nuk dua të abuzoj dhe të them se duhet të vijnë të gjithë deputetët që kanë votuar ligjin. Nuk po them që të vijnë të gjithë ata që kanë ngritur dorën.
Kërkojmë gjithashtu që të vijë si dëshmitar edhe Taulant Balla.
Meta bën me shenjë se do të flasë.
Avokati: O zoti Meta, të lutem prit sa të mbaroj.
Monika Kryemadhi: Mbaro, se do të flasim edhe ne.
Avokati: Pra, për ligjin e minierave këto kisha.
Gjykata: Fjalën e ka zoti Meta.
Meta: Duke mbështetur qëndrimet e avokatit tim, dua të theksoj se, nëse gjykata e çmon të arsyeshme, do të ishte me vlerë të thirrej një ekspert i pavarur i minierave për të parë kush është subjekti, sa kanë përfituar dhe nëse ka qenë një ligj i dobishëm apo diçka tjetër.
Meta: Mesa di unë, kanë përfituar rreth 300 subjekte dhe janë shtuar rrugës edhe 300 të tjerë. Jemi përballë një fantazie. Flasin për shtëpia këtu, shtëpia atje, dhe biem viktima të këtyre krijimeve.
Unë s’jam marrë kurrë me punë shtëpish; kryesisht me këtë merren gratë. Jemi zhvendosur, pasi në bllok ndërtesat kishin probleme dhe vetë blloku ka shumë probleme akustike etj. Edhe unë kisha probleme për të dalë shëtitje e të tjera.
Prandaj vendosëm të iknim. Për mua kishte rëndësi të isha jashtë bllokut. Unë nuk kam qenë dakord për në Rolling Hills, sepse me tre fëmijë ishte problem shkolla, vajtje-ardhje, por edhe sepse aty kishte politikanë dhe figura të njohura, gjë që nuk do të më jepte kënaqësi për të qëndruar atje.
Ne nuk e dinim që do të gjendeshin telefona. Më the e të thashë, se po të kisha vendosur, do të jetoja atje me komshi grekun apo jo, se ai ishte zotëri, në fakt.
Unë skam asnjë përfshirje as për përfshirjen e këtij ligji.