
BELGJIKË- Një tjetër grup kriminal është "çmontuar" nga Policia belgë. Sipas të dhënave që janë bërë me dije nga një njoftim i Prokurorisë së Brukselit, grupi kriminal ishte i 'specializuar' për trafik droge, i fokusuar kryesisht tek kokaina. Disa nga të dyshuarit janë vendosur në pranga, por ende nuk dihet as numri dhe as identiteti i tyre. Edhe pse me bazë në Bruksel, grupi furnizonte tregun britanik me kokainë.
Ky rrjet, i drejtuar nga shqiptarë, përdorte drejtues kamionësh për të transportuar drogë mes Belgjikës dhe Anglisë.
Hetimi, i kryer nga Prokuroria dhe Policia gjyqësore federale e Brukselit, bëri të mundur identifikimin dhe çmontimin e një rrjeti të strukturuar që operonte nga disa vendndodhje në Belgjikë, kryesisht në rajonin e Brukselit, por edhe në Brabant Flamand dhe Brabant ëalloon. Në kuadër të operacionit të zhvilluar paraditen e së hënës, janë kryer rreth 30 kontrolle, të cilat kanë çuar në arrestimin e disa të dyshuarve dhe sekuestrimin e disa provave.
Po ashtu, u gjetën dhe u sekuestruan dy pistoleta, para, sende luksi dhe disa automjete. Para këtij operacioni, hetuesit kishin vënë në shënjestër tashmë transporte të dyshimta, duke çuar në sekuestrimin e kokainës dhe shuma parash nga autoritetet franceze dhe angleze.
Këto sekuestrime bënë të mundur fokusimin e hetimeve në të disa anëtarë të grupit dhe zbardhjen e shtrirjes së rrjetit ndërkombëtar të dyshuar për trafik droge. Nga hetimet u zbulua se rrjeti dyshohet se përdorte kompani transporti për të kamufluar kalimin e drogës, duke fshehur dërgesat brenda kamionëve që transportonin mallra legale.
Kjo mënyrë e të operuarit kishte bërë që trafiku të zhvillohej në mënyrë diskrete, duke kaluar tranzit nëpër Kanal për të furnizuar tregun anglez. Megjithatë hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave që ishin pjesë e grupit./ZËRI