GREQI- Një 48-vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, pas 20 vitesh në arrati, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar.
Mësohet se 48-vjeçari Geron Cecja ra në prangat e policisë ditën e djeshme, nga një task-forcë speciale e policisë greke, pas informacionit mbi vendndodhjen e tij, në zonën e Filotheit në Athinë.
Cecja po kërkohej prej gati 2 dekadash nga autoritetet shqiptare për një vrasje në vitin 2006 në Tiranë, ku viktimë ishte shoku i tij. Sipas akuzës, viktima është qëlluar me armë zjarri, ndërsa ndaj Geron Cecës ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Ndërkohë, pas arrestimit, Cecja është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente në Greqi. Tashmë pritet vendimmarrja e autoriteteve greke për procedurat që do të ndiqen lidhur me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./ZËRI