TIRANË- Tre emra do t’i bashkohen përbërjes së ardhshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor pas votimit të zhvilluar këtë të premte në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve. Krahas Sandër Simonit i cili siguroi mandatin përmes shortit pas barazimit në vota në KLGJ u zgjodhën edhe Fatri Islamaj dhe Brunilda Kadi.
Në garën mes gjyqtarëve të gjykatave të Apelit Fatri Islamaj rezultoi kandidati më i votuar. Ai mori 190 vota duke lënë pas kandidaten Igerta Hysi e cila siguroi 171 vota.
Ndërkohë, nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë vendi i anëtarit të KLGJ-së iu besua gjyqtares Brunilda Kadi.
Kadi mori 167 vota, duke u renditur e para në këtë garë. Pas saj u rendit Matilda Llangozi me 101 vota ndërsa Manjola Xhaxho siguroi 90 vota.
Zgjedhja e Islamajt dhe Kadit vjen në kuadër të procesit për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Mandatet e tyre do të lidhen me vendet që do të lirohen më 12 dhjetor 2026 kur përfundojnë mandatet pesëvjeçare të tre anëtarëve aktualë të KLGJ-s të zgjedhur përkatësisht nga gjyqtarët e Shkallës së Parë të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë.
Me përfundimin e procesit të votimit gjyqtarët kanë përcaktuar kështu përfaqësuesit e rinj që do të marrin pjesë në përbërjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor pas përfundimit të mandateve aktuale.
Sandër Simoni do të jetë një nga tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pas votimit të zhvilluar sot në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve./ZËRI
