Aktualitet

Një pjesë e ish-vilës së Enver Hoxhës do të kthehet në qendër arti, zbulohet vendimi i qeverisë

Zbatimi i këtij projekti do të bëhet nga Ministria e Kulturës, e cila do të mbulojë tarifa të tilla si furnizimi me ujë dhe me drita, si dhe koston e mirëmbajtjes së ambienteve gjatë kohës që do të jepet në shfrytëzim.

E.K
Një pjesë e ish-vilës së Enver Hoxhës do të
Ish-vila e Enver Hoxhes

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur që një pjesë të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha që gjendet në zonënj e ish-Bllokut, ta japë për zhvillimin e një projekti kulturor. Në VKM-në që mban firmën e vetë Edi Ramës, thuhet se disa ambiente të godinës, do të shfrytëzohen për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”. Zbatimi i këtij projekti do të bëhet nga Ministria e Kulturës, e cila do të mbulojë tarifa të tilla si furnizimi me ujë dhe me drita, si dhe koston e mirëmbajtjes së ambienteve gjatë kohës që do të jepet në shfrytëzim.

VENDIMI:

MIRATIMIN E TARIFËS SË REDUKTUAR PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM TË DISA AMBIENTEVE NË OBJEKTIN “REZIDENCA QEVERITARE, VILA 31 TIRANË”, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT KULTUROR “VILA ART REZIDENCË TIRANA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e tarifës së reduktuar për dhënien në shfrytëzim Ministrisë së Kulturës të disa ambienteve në objektin “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë”, për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.

2. Vlera e tarifës së shfrytëzimit të ambienteve të objektit “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë” do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes e të trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim për këtë projekt.

3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Ndërtesa në fjalë gjendet në qendër të Tiranës në lagjen që njihet si ish-Blloku, ku gjatë diktaturës komuniste 1944-1991 jetuan familjet e kupolës të regjimit që është konsideruar një prej më të egërve në Europën Lindore.  Hoxha ka jetuar në këtë vilë deri kur ndërroi jetë në vitin 1985.

Pas vitit 1991, shtesa e re e ndërtesës që ishte bërë në vitin 1973, u menaxhua nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe ka shërbyer për pritje zyrtare dhe aktivitete të ndryshme.  Pjesa e vjetër e saj funksionon aktualisht si biznes, hotel dhe restorant./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB