TIRANË-Shqipëria ka marrë miratimin paraprak nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”.
Agjencia për Media dhe Informim ka njoftuar se komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të formalizohet ky hap në procesin e integrimit europian.
Vendimi ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria mbyll Kapitullin e Katërt, nis numërimi mprapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan Rama.
Kapitulli 20 përqendrohet te politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian. Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.