
SELANIK - Greqia është tronditur nga rasti i vrasjes së tmerrshme të 41-vjeçares shtatzënë në Selanik nga partneri dhe bashkëpunëtori i tij. Në lidhje me këtë ngjarje, gjithnjë e më shumë detaje po dalin në dritë.
Dy mesazhe të çuditshme që dyshohet se janë dërguar nga Georgia, dy shenja gishtash dhe video nga kamerat e sigurisë në zonën ku jeton partneri i saj, kanë dërguar autoritetet tek autorët e vrasjes makabre. Mediat helene kanë zbardhur dosjen e vrasjes.
Dy mesazhe të shkëmbyera në 8 minuta
Në orën 7:52 minuta më 2 janar, nëna e Georgias mori mesazhin e mëposhtëm në celularin e saj: “Mami, mirëmëngjes. Nuk do vij tani në mëngjes se kam diçka për të bërë dhe do shkoj direkt në punë, sigurisht. Nuk i thashë asgjë Akisit, e di që do vij në shtëpi. Shihemi më vonë, kam punë tani”.
Mirëpo, nëna e Georgias, duke lexuar këtë mesazh ka dyshime nëse e ka dërguar e bija dhe në deklaratën e saj të parë në polici ka treguar si të dyshuar partnerin e së bijës, duke u shprehur se vajza e saj mund të jetë vrarë.
Partneri i saj në një nga depozitimet e tij të para pohoi se ai mori një mesazh nga Georgia, pikërisht 8 minuta pas mesazhit që dyshohet se i dërgoi nënës së saj. Në atë mesazh, ajo i tha atij se e dinte se ai ishte pushuar nga puna, edhe pse ai e kishte gënjyer.
Gjurma e fundit e telefonit të Georgias tregoi se ajo ishte në qendër të Selanikut në orën 7:57 të mëngjesit të datës 2 janar. Por siç mësohet, 41-vjeçarja fatkeqe ishte tashmë e vdekur.
Dy shenjat e gishtave
Autoritetet, duke gjetur boshllëqe në deklaratat e partnerit, kontrolluan shtëpinë e tij. Shenjat e gjetura në raftin e mesëm të garderobës në dhomën e gjumit dhe në derën e banjës i përkisnin 41-vjeçares dhe gjithashtu një të njohuri nga policia, i cili ishte edhe mik i fëmijërisë së partnerit.
Pavarësisht se ata pastruan zonën pas krimit, dy gjurmët kishin çuar tashmë autoritetet tek gjetja e autorëve. Menjëherë i dyshuari është vënë nën vëzhgim, deri në ditën kur është paraqitur vullnetarisht dhe ka rrëfyer atë që kishte ndodhur.
Kamerat i tradhtuan
Partneri pretendoi se Georgia u largua nga shtëpia teksa flinte, duke marrë me vete, siç pretendonte ai, kursimet e tyre të përbashkëta. Por kamerat treguan se 41-vjeçarja hynte me të në shtëpi natën e Vitit të Ri në orën 22:50, por nuk doli kurrë prej andej. Megjithatë, për shtatë orë e gjysmë nga mesnata deri në orën 07:30 të mëngjesit, dy të pandehurit janë parë duke hyrë dhe dalë nga shtëpia.
Nga pamjet e kamerave, shikohet se shoku i partnerit hyn në pallat në mesnatë dhe më pas, së bashku me 39-vjeçarin, shihen duke hedhur sende në kosha plehrash, duke mbajtur një valixhe. Më pas ata mbajnë një dyshek, të cilin e hedhin 100 metra larg shtëpisë, ndërsa shihet se është hedhur edhe një dyshek i dytë. Gjatë natës, ndërsa partneri gjoja ishte në kërkim të gruas që mbante fëmijën e tij, policia gjen dyshekun që ishte vendosur në një vend të tillë që nuk binte në sy të njerëzve, me gjakun e Georgias mbi të. Autoritetet, për më tepër, kanë marrë informacion nga mjeku gjinekolog i gruas fatkeqe, se ajo ishte 7 muajshe shtatzënë. Në datën 3 janar ishte caktuar një takim për ndërprerjen e shtatzënisë, për të cilin partneri u informua dhe ra dakord.
Gjithçka kishte shkuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Dy të pandehurit janë dërguar në gjykatë. Partneri i Georgias nuk ka pranuar se ka kryer vrasjen./ZËRI/