TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka pushuar hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme doli në konkluzionin se nuk ekzistojnë prova që provojnë akuzat.
Gjatë hetimeve, organi i akuzës nuk gjeti elementë të veprës penale të fshehjes së pasurisë nga Zaganjori dhe iu drejtua Gjykatës së Posaçme me kërkesë për pushimin e çështjes. Zaganjori akuzohej për veprat penale “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Xhezair Zagonjori ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor në vend, ai ka shërbyer si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe si drejtues i Gjykatës së Lartë. Po ashtu ai ka shërbyer dhe në diplomaci, ku ka mbajtur detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani.
Gjatë kohës që ai drejtonte Gjykatën e Lartë, Zaganjori iu nënshtrua procesit të vettingut. Shkalla e parë e konifrmoi në detyre, por Kolegji i Posaçëm i Apelimit e kundërshtoi pasi deklaroi se Zaganjori nuk justifikonte pasuritë, duke ngritur pikëpyetje për vetëm një nga tre kriteret e vettingut të tij që çoi në shkarkimin nga detyra./ZËRI