TIRANË- Nesër, 11 dhjetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që do të zëvendësojë Altin Dumanin. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato do të jetë nesër i pranishëm në mbledhjen e KLP-së, ndërsa gjatë sot zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, prezenca e BE-së ka ndarë detaje nga mbledhja e sotme. Gonzato shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.
“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata.
Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, shkruhet në postimin e BE-së.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë kërkon gjithashtu që procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK të jetë i drejtë e transparent. Ambasada britanike thekson se ky është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
"Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer", shkruan ambasada britanike.
Prokurorët Adnand Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj, do të prezantojnë platformën e tyre dhe pasi të dëgjohen dhe të pyeten, do të votohen. KLP miratoi 4 kandidatën në mbledhjen e 20 tetorit, duke vlerësuar se i plotësojnë kushtet për të drejtuar SPAK. Emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën, që është ajo e intervistimit, e vendosur tashmë më datë 11 dhjetor. Po në këtë ditë pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë me votim kreun e ri të SPAK, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.
Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon në 18 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Caktimi i kreut të ri të SPAK, ka vënë në lëvizje dy nga ambasadat kryesore në vend: SHBA dhe BE.
Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash./ZËRI
