Aktualitet

Nuk kreu ndryshimet ligjore për pagat brenda afatit, gjyqtarët "sfidojnë" Kuvendin: Të vijojmë sipas vendimit të Kushtetueses

Sipas tyre, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve ligjore brenda afatit të përcaktuar, do të zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

zh.ll
Nuk kreu ndryshimet ligjore për pagat brenda afatit, gjyqtarët
foto ilustruese

TIRANË- Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar për çështjen e pagave të magjistratëve, duke deklaruar se Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tyre, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve ligjore brenda afatit të përcaktuar, do të zbatohet mekanizmi i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me vendim të Gjykatës Kushtetuese në shkurt të këtij viti, Kuvendi duhet të bënte brenda korrikut ndryshime ligjore që preknin referencën e pagës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Megjithtë, sipas deklaratës së unionit, me mbarimin e afateve në dispozion, është konstatuar se Kuvendi nuk ka vepruar me miratimin e ndryshimeve ligjore, në drejtim të rregullimit të pagave të magjistratëve, sipas vendimit të gjykatës.

Sipas tyre, mosveprimi nga ana e Kuvendit nuk ka krijuar një boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ka parashikuar mekanizmin e zbatueshëm në këtë situatë. Sakaq, sipas shoqatës së magjistratëve, duhet të zbatohet formula e re e pagave, e cila lidhet me pagën e funksionarit të administratës së lartë publike.

Deklarata

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në përmbushje të misionit të tyre për mbrojtjen e statusit të magjistratit, kanë qenë vazhdimisht të angazhuar në ndërmarrjen e nismave institucionale për garantimin e standardeve kushtetuese që lidhen me ushtrimin e funksionit të magjistratit. 

Nisma më e fundit në këtë drejtim ishte kërkesa e paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e neneve 1 dhe 2, pika 2, të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të cilës iu bashkua edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, vendosi të pranonte kërkesën, duke konfirmuar se ndryshimet ligjore të miratuara më herët nga ana e Kuvendit cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës.

Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese përcaktoi qartë edhe kriteret që duhet të respektoheshin në hartimin e normës së re që do të rregullonte pagat e magjistratëve, duke detyruar Kuvendin të miratonte ndryshimet ligjore të nevojshme, brenda datës 31.07.2026. Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese parashikoi edhe pasojat në rast mosveprimi, duke përcaktuar se pas përfundimit të këtij afati, do të hynte në fuqi formula e përllogaritjes së pagave që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas referencës së analizuar në vendimin nr. 35/2022 të saj.

Që pas njohjes me arsyetimin e vendimit nr. 15/2026, shoqatat tona kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse, me synimin për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje të plotë me standardet kushtetuese të vendosura nga Gjykata. 

Me mbarimin e afatit të lënë në dispozicion, konstatojmë se nga ana e Kuvendit nuk është vepruar me miratimin e ndryshimeve ligjore, në drejtim të rregullimit të pagave të magjistratëve, sipas arsyetimit të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese. 

Megjithatë, mosveprimi nga ana e Kuvendit si më lart nuk ka krijuar një boshllëk ligjor, pasi vetë Gjykata Kushtetuese ka parashikuar mekanizmin e zbatueshëm në këtë situatë. Për rrjedhojë, duke filluar nga data 01.08.2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve do të duhet të kryhet mbi bazën e formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, sipas vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. E njëjta formulë, sipas vendimit nr. 15/2026, zbatohet me efekt prapaveprues për periudhën 01.04.2023–31.07.2026.

Në këto kushte, shoqatat tona mbeten të vendosura për të ndjekur zbatimin e plotë dhe korrekt të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili, për shkak të mosveprimit të Kuvendit brenda datës 31.07.2026, është bërë tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm.

Në respekt të parimit të luajalitetit kushtetues, ftojmë të gjithë institucionet dhe zyrtarët e përfshirë në procesin e zbatimit të këtij vendimi, që të respektojnë me rigorozitet detyrimet që burojnë nga neni 132, pika 1, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, shoqatat e magjistratëve të Republikës së Shqipërisë mbeten të bashkuara në këtë qëndrim dhe do të monitorojnë me vëmendje çdo veprim të ndërmarrë në funksion të zbatimit të vendimit, duke rikonfirmuar gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Pagat e gjyqtarëve

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese i dha afat Kuvendit që deri në muajin korrik, të vendote për formulën e re për pagat e gjyqtarëve. Sipas Kushtetueses i takon Kuvendit të Shqipërisë për përzgjedhjen e referencës, ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët. 

Shoqata e Gjyqtarëve çoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë të vitit 2023, në të cilin ndryshohej formula e pagave të gjyqtarëve, duke argumentuar se formula e re cenonte nenin 133 të Kushtetutës.

Por çfarë kërkoi Unioni?

Unioni i Gjyqtarëve dërgoi në Gjykata Kushtetuese ndryshimet ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga mazhoranca, e cila përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë. Më përpara se Kuvendi të bënte këtë ndryshim, paga që merrej si referencë për pagën e gjyqtarit ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri me vlerë 132,000 lekë. Por këto kategori iu nënshtruan rritjes së përgjithshme të pagave, ku paga e Drejtorit në Kryeministri shkoi në (231 mijë lekë) (formula e vjetër), nga e cila me ndryshimin ligjor të 2023, gjyqtarët u përjashtuan.

Gjyqtarët përmes kësaj formule pretendojnë se humbën 78 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa qeveria pretendon se ua rriti me 20.000 lekë nga 132 mijë në 153 mijë. Unioni kërkoi rikthim të referencës që ishte ose përcaktimin 54.3% të pagës së Presidentit si pagë referuese. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë duke sqaruar se këto ndryshime duhet ti bëjë Kuvendi brenda afatit 31 korrik 2026, ndërsa efektet financiare të ligjit do të llogariten që nga 01.04.2023, duke iu garantuar përmes një skeme pagese që të gjithë gjyqtarët të marrin pagesat e prapambetura./ZËRI

Poll

MOS HUMB