Aktualitet

One dhe Vodafone Albania, 16 ditë para afatit/ Në pritje të zbatimit të masave

Vendimi i miratuar më 24 korrik 2026 erdhi pas një hetimi të thelluar mbi tregun e shërbimeve celulare dhe problematikat e evidentuara në ofertat dhe tarifat e dy operatorëve.

M.K.
One dhe Vodafone Albania, 16 ditë para afatit/ Në pritje të
one & vodafon albania

TIRANË- Kanë mbetur vetëm 16 ditë nga përfundimi i afatit 90-ditor të vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës për zbatimin e disa prej masave ndaj Vodafone Albania dhe One Albania. Vendimi i miratuar më 24 korrik 2026 erdhi pas një hetimi të thelluar mbi tregun e shërbimeve celulare dhe problematikat e evidentuara në ofertat dhe tarifat e dy operatorëve.

Autoriteti i Konkurrencës konstatoi rritje të përafërta të çmimeve ngjashmëri të lartë mes paketave pakësim të ofertave me tarifa më të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që shoqërojnë ndryshimet e çmimeve.

Në mesin e masave të përcaktuara është krijimi i paketave të posaçme dhe më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18 deri në 23 vjeç. Për këto detyrime, afati i vendosur është 90 ditë.

Por kërkesat e Autoritetit nuk ndalen vetëm te paketat e reja. Paketa më e lirë duhet të jetë e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes dhe jo vetëm në aplikacione apo kanale të tjera digjitale. Po ashtu abonentët duhet të kenë mundësi të kalojnë në një paketë më të lirë pas përfundimit të kontratës pa penalitete apo pengesa të pajustifikuara.

Vendimi parashikon edhe rregulla më të qarta për informimin e konsumatorëve. Çdo ndryshim në çmim përmbajtje apo vlefshmëri të paketave duhet t’u komunikohet abonentëve individualisht të paktën 30 ditë përpara. Ndërkohë rritjet e tarifave duhet të mbështeten në analiza të dokumentuara të kostove, të cilat operatorët duhet t’i ruajnë për një periudhë pesëvjeçare.

Në kanalet publike të dy operatorëve nuk janë bërë të qarta në mënyrë të plotë disa prej masave të kërkuara nga Autoriteti, veçanërisht ato që lidhen me paketat e dedikuara për pensionistët dhe studentët.

Kjo e bën edhe më të rëndësishëm përfundimin e afatit 90-ditor. Nëse masat janë zbatuar, mbetet për t’u parë se si janë reflektuar konkretisht në treg; ndërsa në rast të kundërt, pyetja është se cilat detyrime vijojnë të mbeten pa u përmbushur.

Afati po shkon drejt fundit. Nga 90 ditët e përcaktuara nga Autoriteti i Konkurrencës, kanë kaluar 74 dhe kanë mbetur vetëm 16 ditë për zbatimin e masave të parashikuara në vendim./ZËRI

Poll

MOS HUMB