TIRANË- Analisti Baton Haxhiu ka tërhequr vëmendje me një deklaratë mbi ndikimin mjedisor të protestave. Në një intervistë në emisionin e Ylli Rakipit në MCN TV, pak ditë më parë, Haxhiu shprehu shqetësimin se protestuesit po ndotin ambjentin më shumë se kushdo tjetër.
Haxhiu foli për ndotjen e mjedisit gjatë protestave, duke përmendur edhe materialet e përdorura për përgatitjen e pankartave, si dhe sasinë e ujit që, sipas tij, shpenzohet në procesin e prodhimit të tyre.
Ai u shpreh se protestuesit kontribuojnë në ndotjen e mjedisit më shumë se grupe të tjera, duke iu referuar edhe statistikave sipas tij.
“Protestuesit sot, sipas statistikave, ndotin ambientin më shumë se kushdo tjetër. Gjithë ato gjëra të rëndësishme që janë brenda në shesh, punohen me parrulla që janë kryesisht me inteligjencë artificiale. Kur e lexon sa ujë harxhohet në botë për t’i prodhuar ato, tregon sa dëmtohet ambienti.”, u shpreh Haxhiu.
Deklarata është bërë virale në rrjet, duke nxitur reagime të shumta dhe komente ironike e kritike nga përdoruesit.
Protesta e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec do të vijojë edhe sot në ditën e 21-të. Protestuesit dalin çdo ditë me thirrje dhe pankarta në duar, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe më shumë transparencë nga institucionet./ZËRI