Aktualitet

U vra në krye të detyrës/ Përcillet për në banesën e fundit efektivi Afrim Bunjaku

Në ceremonënë mortore morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidentja e vendit Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, kreu i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca dhe kryepolici Gazmend Hoxha.

Zeri
U vra në krye të detyrës/ Përcillet për në
Pamje nga ceremonia mortore

KOSOVË- Është përcjellë për në banesën e fundit rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra një ditë më parë nga një grup i armatosur serb, teksa ishte në krye të detyrës. Bunjaku u vra pas një shkëmbimi zjarri me grupin e armatosur, ndërsa dy kolegët e tij mbeten të plagosur. Grupi përbëhej nga 30 persona të armatosur me armë dhe altileri të rëndë, përfshirë granata dhe kundër-ajror.

Në ceremonënë mortore morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidentja e vendit Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, kreu i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca dhe kryepolici Gazmend Hoxha.

Gjatë fjalës së saj Osmani tha se sot “Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij”.

Vjosa Osmani: Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tone.

Kryeministri Albin Kurti tha se rënia e Afrimi Bunjakut në krye të detyrës tregon betejën e Kosovës për ligj dhe Kushtetueshmëri.

Albin Kurti: Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizimin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët. Për paqe me siguri, për të gjithë me secilin. Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës është sakrifica në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, për drejtësi dhe për të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me ngjarjen e një dite më parë është cënuar sovraniteti shtetëror i Kosovës, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

Glauk Konjfuca: Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero, portreti dhe profili i Afrimit le të skalitet në kujtesën tonë fotografike dhe në mendjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrimi, larg krimi. Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës, sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor dhe u bë heroi i Kosovës për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit të republikës sonë. Dita e djeshme, ditë e zezë për familjen dhe miqtë, për bashkëfshatarët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do të frymëzojë brezat se si mbrohet atdheu. Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe për demokracinë dhe për paqen në rajon. Serbia edhe një herë për strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se sot Afrimi është heroi më i ri i Kosovës dhe se ai ra heroikisht në krye të detyrës.

Gazmend Hoxha: Rreshter Afrimi dje ra heroikisht në krye të detyrës në veri të Kosovës. Ai u vra në një prit të organizuar nga grupet terroriste dhe kriminale. Rreshteri Afrimi, heroi më i ri i Kosovës dha jetën tij duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sot për ne dhe për ju është një ditë shumë një ditë shumë e vështirë, sepse po ndahemi nga prindi, bashkëshorti, vëllai, miku e kolegu, i cili dha jetën e tij për paqe dhe siguri të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.

Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB