Aktualitet

Dhuna ndaj shqiptares në Greqi, përfshihen dhe prindërit

Vazhdojnë përplasjet lidhur me historinë e shqiptares që dhunohej nga i shoqi në Greqi.

k.m.
Dhuna ndaj shqiptares në Greqi, përfshihen dhe prindërit
Aurel dhe Gëzim Kurti; Lumja (nëna e të dhunuarës)

GREQI- Rasti i dhunës së ushtruar ndaj 22-vjeçares shqiptare, Dafina nga bashkëshorti i saj Aurel Kurti ka "pushtuar" nga mediat greke por edhe ato shqiptare. 22-vjeçarja, e cila prej dy vitesh dhunohej nga i shoqi dhe mbahej kundër dëshirës së saj në shtëpinë e tyre në Volos, dyshohet se merr kërcënime nga familjarët e bashkëshortit të saj, të cilët i kërkojnë tërheqjen e padisë që ka ngritur ndaj 28-vjeçarit. Në të njëjtën kohë, 28-vjeçari foli nga burgu për "Star", duke pretenduar se nuk po e mbante të burgosur në banesë.

“Është gënjeshtër që e kam burgosur. Ditët e fundit ajo donte që ne të largoheshim dhe të shkonim në Angli, ku ishin kushërinjtë e saj. Nëse donte të divorcohej, mund të ma thoshte. Erdha në Greqi sepse doja një jetë tjetër. I kisha thënë shumë herë të dilte dhe ajo nuk donte. Punoja nga mëngjesi në mbrëmje dhe shtëpia ime ishte gjithmonë plot për të dhe fëmijën. U grindëm donte ë largohesha,"- tha 28-vjeçari.

Duke iu referuar fëmijës së tij 2.5 vjeç, ai tha: Më intereson vetëm fëmija im. Kjo është jeta ime, prandaj kam punuar kaq shumë orë, që të mos i mungojë asgjë. Por tjetër version kishte fqinja e çiftit, e cila tha se disa herë i kishte dëgjuar britmat e 22-vjeçares, madje herën e fundit kishte njoftuar edhe Policinë e Shtetit. Ajo pretendon se edhe ajo është sulmuar nga 28-vjeçari.

“Nuk e kishim parë kurrë vajzën dhe fëmijën. Dëgjuam britma dhe thamë se po e vriste. Shkova në shtëpi, trokita në derë dhe fillova të bërtas që të hapej. Ai doli nga dera dhe filloi të më shtynte. Më kapi fort duart. Pashë vajzën e shtrirë në tokë dhe foshnjën nën krevat duke qarë. Fatmirësisht në atë kohë erdhi Policia,”-tregoi fqinja greke.

Por reagime ka pasur edhe nga prindërit e çiftit. Në emisionin “Me zemër të Hapur” të moderatores, Evis Ahmeti, babai i Aurel Kurtit, Gëzimi hodhi dyshime se nusja e djalit të tij mund të kishte nisur një histori tjetër dashurie, pasi kishte edhe para se të martohej me të birin.

"Është e vërtetë që ne nuk kemi dashur për lidhjen e tyre. Për martesën e djalit me një grua tjetër nuk është e vërtetë. Mua nuk më ka sjellë grua në shtëpi. Nëna e Dafinës i ka çuar në polici, pasi nuk ishte dakord me lidhjen e tyre. Dafina ka thënë unë do e marr dhe pikë. Mua më mori policia në telefon më tha që djali jot ka marrë vajzën e filanit. Vajza ka ikur nga shtëpi dhe Lumja i ka çuar në polici. Kur e ka sjellë në shtëpi, tre ditë nuk i kam folur fare. Pastaj mu vunë kalamajtë dhe iu fola. Është gënjeshtër ajo që ka thënë se djali im ka tentuar ta mbysë kur ishte 5 muajshe. Ajo le të thotë çfarë të dojë, por do të përgjigjet për fjalët. Kur bëri kontrollin e fëmijës, më tha “është gocë” dhe s’kishte problem me këtë. Më pas do ikte në Greqi, edhe Dafina ishte dakord, ka ikur që 15-vjeç atje. Nëse djali im ka bërë dhunë të dënohet maksimalisht, nuk kam vërejtje. Numrin e Dafinës nuk e kisha, nga ora 1 djali më ka shkruar në telefon të avokatit. Më ka thënë “më kanë futur në burg”. Unë thashë një mendim se mund të ketë pasur lidhje tjetër, por jo se është e vërtetë. Thashë “mos bën vaki ka nisur lidhje tjetër”,"-tha i ati i autorit. 

Menjëherë erdhi një reagim nga e ëma e të resë, e cila e përjashtoi si mundësi që e bija të kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore.

“Familjes Kurti i bëj thirrje që të mos ofendojnë vajzën time kot, nuk ka lidhje tjera. E dini se çfarë fëmije keni. Do i bëj denoncim nëse më ofendojnë vajzën. E përjashtoj si mundësi, vajza ime s’ka pasur lidhje tjetër,”- tha Lumja, nëna e 22-vjeçares.

Historia tragjike e 22-vjeçares

Gruaja 22-vjeçare erdhi në Volos në vitin 2021 pas martesës me bashkatdhetarin e saj 28-vjeçar, një burrë mizor që nuk e la kurrë të mësonte greqisht, sepse nuk e lejoi kurrë kontaktin e saj me asnjë njeri. Tregues i egërsisë së 28-vjeçarit është momenti kur ai e dhunoi 22-vjeçarin kur zbuloi se foshnja që prisnin ishte vajzë! Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja jetuan për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa rrezet e diellit. Rrahjet ishin të përditshme dhe 28-vjeçari nuk e lejonte të renë të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as të thërriste mjekun në shtëpi. Fillimi i fundit për vuajtjet e 22-vjeçares ka ardhur mbrëmjen e së enjtes kur lagjia është mobilizuar pasi 22-vjeçarja ka nisur të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë. 28-vjeçari është dërguar dje në hetuesi, ndërsa nëna dhe fëmija janë nën mbrojtje me urdhër të prokurorit. Në daljen e tij para organeve të akuzës, autori ka mbetur pa fjalë dhe duket se nuk ka kuptuar as seriozitetin e ngjarjeve, as rëndësinë e referimit para drejtësisë për krime./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB