Aktualitet

Plagosja e dyfishtë në Malësinë e Madhe, Lul Rakaj lihet në burg: Më ka shpëtuar Zoti nga ata

Rakaj rezulton person me precedent penal, pasi afro 15 vite më parë ka ekzekutuar me armë shtetasin Kolë Mushkun në Hot të Malësisë së Madhe

E.K
Plagosja e dyfishtë në Malësinë e Madhe, Lul Rakaj lihet
Lul Rakaj

SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg shtetasin Lul Rakaj, autorin e plagosjes së dyfishtë që ndodhi të dielën në Malësinë e Madhe. Edhe në Gjykatë, Rakaj i ka qëndruar pretendimeve të tij se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, duke thënë se personat e plagosur kishin ndërmend që ta qëllonin, por ai veproi pata tyre.

 “Më ka rujt Zoti që kam shpëtuar nga ata. Më ka fal Zoti”, ka deklaruar Rakaj në Gjykatë. Avokati i tij mbrojtës kërkoi “arrest në shtëpi”, por gjyqtari Albert Keraj caktoi “arrest me burg”, masë e kërkuar nga prokurorja, Elsa Gjeni.

Plagosja e dyfishtë ndodhi të dielën në Malësinë e Madhe, ku Rakaj, i dënuar më parë për vrasje, qëlloi me armë zjarri ndaj dy shtetasve Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj, të dy tashmë jashtë rrezikut për jetën.

38-vjeçari, i cili u arrestua pak orë pas ngjarjes, në dëshminë e tij në policinë vendore të Shkodrës, deklaroi se ka qëlluar në drejtim të dy shtetasve pas një konflikti që ka patur nipi i tij dhe duke dyshuar se Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj ishin të armatosur.

“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Nuk e di se çfarë konflikti kanë pasur por di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, mësohet të ketë thënë në dëshminë e tij i arrestuari Lul Rakaj.

Pas plagosjes, Lul Rakaj u largua në zonën e Tamarës në Shkodër. Forcat RENEA e gjetën të fshehur në makinë bashkë me të shoqen. Edhe pse i bënë disa herë thirrje për t'u dorëzuar, Rakaj tentoi që të largohej, por nuk ia doli.

Rakaj rezulton person me precedent penal, pasi afro 15 vite më parë ka ekzekutuar me armë shtetasin Kolë Mushkun në Hot të Malësisë së Madhe.  Ky i fundit i kishte vrarë babain të arrestuarit të djeshëm. /ZËRI

Poll

MOS HUMB