Aktualitet

DEBATET/ 'Profesionet e lira' në Kushtetuese, Gjykata merr vendimin në 25 qershor për shfuqizimin e ligjit

Gjykata Kushtetuese ju la afat palëve të sjellin argumente shtesë deri në 21 qershor, ndërkohë me 25 qershor do të jetë vendimi final nëse do shfuqizohet apo jo ligji 'Për tatimin e profesionistëve të lirë'. 

k.m.
DEBATET/ 'Profesionet e lira' në Kushtetuese, Gjykata merr
Pamje nga GJK

TIRANË- Gjykata Kushtetuese nisi sot seancën e hapur ku u diskutua lidhur me shfuqizimin e ligjit ndaj taksimit të profesioneve të lira. Për këtë ligj, janë depozituar katër padi, ndërkohë gjatë seancës së zhvilluar palët kanë paraqitur në sallë argumentet e tyre. Gjykata Kushtetuese ju la afat palëve të sjellin argumente shtesë deri në 21 qershor, ndërkohë me 25 qershor do të jetë vendimi final nëse do shfuqizohet apo jo ligji 'Për tatimin e profesionistëve të lirë'. Në parashtrimin e argumenteve, palët paditëse kanë sqaruar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lirë me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin. Po ashtu ata kanë sqaruar se kjo formë e diferencuar tatimi nuk bëhet në asnjë vend të BE-së, dhe se normat e tatimit janë më të lartat se kudo.

Tabaku tha se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, 'taton trurin, godet shtresën e mesme, duke shtuar efekt bumerang, me krijimin e skemave fiktive për shmangien e tatimeve". Ajo tha se qeveria ka diskriminuar të vetëpunësuarit duke i vendosur një barrë ekstra dhe duke rënduar dhe më shumë barrën e tyre.

“Çdo profesion i lirë është një profesion i shtrirë në kohë, më shumë kosto studimi, investime shtesë dhe nuk mund të krahasohet me biznese të ngjashme. Profesionistët e lirë janë klasifikuar ndryshe nga personat e tjerë tregtarë të këtij ligji”, tha ajo.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Marash Logu tha se përgjatë muajit prill referuar nga të dhënat e QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit kanë pezulluar aktivitetin 10,470 biznese të profesioneve të lira dhe ka shpallur falimentin 1 kompani. Shfuqizimi i ligjit është kërkuar edhe nga Dhoma e Avokatisë. Përfaqësuesi i  Dhomës së Avokatisë tha se pas hartës së re gjyqësorë, edhe ky ligj është në vazhdën e cenimit të profesionit të avokatit. Ai tha se më këtë nivel tatimi një avokat me të ardhura 2 milionë lekë në vit, arrin të sigurojë një pagë prej 90 mijë lekë, një e ardhur e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, kur pagat e administratës janë 30 deri 40% më të larta se kjo e ardhur.

Avokati Aigest Milo, përfaqësues i IKM dhe IEKA  flet për mënyrën e padrejtë që propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit kanë tentuar ta kanalizojnë diskutimin publik mbi dy çështje. 

“Qëllimi i ligjit ka qenë keqdashës. Në nenin 69, germa dh, përcaktohet një kategori që quhet individ tregtar, e cila nuk ekziston në fjalorin tatimor. Ka vetëm dy forma të ushtrimit të aktivitetit të biznesit, ose i vetëpunësuar, ose subjekt juridik në formën e një shoqërie tregtare të përcaktuar nga ligji për shoqëritë tregtare, ose sipas Kodit civil, shoqëri e thjeshtë. Nuk ka kategori tjetër. Dhe individi tregtar ëhstë futur që të përjashtohen dy subjekte dhe i pari të ngelet. Së dyti, si funksion individi tregtar, çfarë formë juridike ka. A mund të shpjegohet kjo nga përfaqësuesit e qeverisë? Së treti, lidhur me konceptin se profesionet e lira, përfshirë edhe avokatinë nuk mund të përjashtohen nga detyrimi për pagesën e tatimit. Keqdashësia është e tillë, sa që iu dashur të aktivizojnë një pjesë të profesionistëve të tyre, ku përveç integritetit profesional, kanë ceduar edhe në atë moral, duke iu mbushur mendjen popullsisë që avokati nuk mund të përjashtohet nga detyrimet. Kush tha që avokati është i përjashtuar nga detyrimet? Avokati paguan tatim mbi të ardhurat personale nga paga, tatim burim qoftë qiramarrës, qoftë qiradhënës. Avokati paguan tatimin vjetor mbi pasurinë për ambiente pune, taksën e infrastrukturës arsimore, taksën e reklamës, taksën e tabelës”, pohoi përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë. Ai tha se më këtë nivel tatimi një avokat me të ardhura 2 milionë lekë në vit, arrin të sigurojë një pagë prej 90 mijë lekë, një e ardhur e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, kur pagat e administratës janë 30 deri 40% më të larta se kjo e ardhur,"-u shpreh ai.

Edhe Këshilli i Ministrave kërkoi që të mos pranohet padia.

Nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke hequr një referencë 30% mbi fitimin e gjeneruar. Por ky ligj është dërguar në Gjykatë Kushtetuese për t'u rrëzuar. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari. Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës./ZËRI

Poll

MOS HUMB