
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur pak ditë më parë që të lejojë përdorimin e sallës "VIP" në aeroportin "Nënë Teresa" edhe për hetuesit dhe gjyqtarët. Bëhet fjalë për të gjithë prokurorët e SPAK; gjyqtarët e GJKKO dhe zv.drejtuesit dhe krerët e këtyre institucioneve. Vendim që është marrë për të shtuar sigurinë e tyre edhe gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
VENDIM- Nr. 648, datë 22.11.2023 PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT SHTETËROR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. Në vendimin nr. 420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa: 1. Në kapitullin V, pika 2, “Përdorimi i sallës VIP të aeroportit”, në fund të nënpikës 2.3, shtohen këto autoritete: “… –Zëvendëskryetari dhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; – Zëvendësdrejtuesi dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; – Krerët e misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë.”.
2. Në kapitullin VI, pika 1, “Përparësia në Republikën e Shqipërisë”, në rangun II të përparësive, bëhen këto shtesa: a) Pas emërtimit “… Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme…” shtohet “… Zëvendësdrejtuesi I Prokurorisë së Posaçme; …”; b) Pas emërtimit “… Kryetari i Gjykatës së Posaçme …” shtohet “… Zëvendëskryetari I Gjykatës së Posaçme; …”. II. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren
Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku
"VIP Zone" është një zonë e krijuar për personat me rëndësi të veçantë, e cila është arreduar duke u frymëzuar nga motivet e traditës Shqiptare. I pozicionuar në një zonë diskrete, veçuar nga terminali qëndror (pranë VIP-it qeveritar), larg radhëve të gjata e të zhurmshme. Deri më tani, kjo zonë është përdorur nga politikanë, por edhe personazhe të njohur që vijnë në vendin tonë./ZËRI