VELIPOJË- Banorët e Rrjollit në Shkodër vijojnë prej më shumë se dy javësh protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti lukzos në zonë. Protestat e tyre, të tensionuara, janë shoqëruar me incidente dhe përplasje edhe me forcat e policisë. Si pasojë e përplasjeve, disa prej banorëve janë shoqëruar në polici gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë, ditën e sotme rreth 6 të shoqëruar janë lënë të lirë. Megjithatë, ata këmbëngulin për të vijuar protestat. Njëri prej të shoqëruarve, i cili u la sot i lirë, tha se nuk do ti ndalin protestat dhe se tokën e tyre do ta mbrojnë me çdo çmim.
“Është hera e 10 që shoqërohem nga 5 orë. Ditën e shtunë kam qëndruar 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm ndalimin tim. Kjo është për shkak të një polici që ka qejf të merret me mua. Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jenë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim”, është shprehur një prej tyre teksa ka lënë ambientet e policisë.
Banorët kanë protestuar edhe para Kuvendi dhe Prokurorisë së Posaçme. Familjarët protestojmë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Ata shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI