TIRANË- Policia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e protestës së Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, pasditen e sotme, në orën 18:00. Sipas njoftimit të bluve të kryeqytetit, që prej orës 14:00 e deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet lëvizja në disa akse rrugore dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në disa zona të caktuara. Masa janë marrë edhe për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative për të ndihmuar qytetarët në rast bllokimi.
Njoftimi:
Tiranë/ Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, i cili nis në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
