
TIRANË- Shqipëria do të kërkojë zyrtarisht heqjen e ligjit të luftës me Greqinë! Vendimi është marrë sot në mbledhjen e konferencës së Kryetareve, ku siç ndodh radhë, Partia Demokratike dhe ajo socialiste gjetën dakordësi. Dy partitë e mëdha diskutuan dhe më pas miratuan propozimin e bërë nga grupit parlamentar "Demokraci dhe Integrim" lidhur me hartimin nga parlamenti të një projekt deklarate “për forcimin e bashkëpunimit të Republikës së Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës”.
"Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhurçështjete hapura mes vendeve tona. Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40,mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte; me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet,"-shkruhet në deklaratë.
Kështu, në përputhje me traktatin e miqësisë që Shqipëria ka nënshkruar me Greqinë, Tirana i bën thirrje Athinës zyrtarë që të krijojnë së bashku një grup pune mes dy Parlamenteve, në mënyrë që të adresohet përfundimisht kjo çështje. Megjithatë për momentin duket se diçka e tillë është e vështirë për shkak të çështjes "Beleri". Prej kohësh, Greqia ka tentuar që të vendosë nën preson Tiranën duke premtuar se do të bllokojnë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse Fredi Beleri, i zgjedhur si kryebashkiak i Himarës nuk do të lejohej që të merrte detyrën. Pavarësisht presioneve, Beleri u dënua nga Apeli i GJKKO0-së me 2 vite heqje lirie për blerje votash dhe pak ditë më parë iu hoq edhe mandati nga KQZ.
“Nuk mund të ketë tolerim për këto çështje,”-paralajmëroi ministri i Jashtëm George Gerapetritis. Në këto kushte, gjuha e bashkëpunimit duket e vështirë për t'u gjetur, megjithatë jo e pamundur.
DEKLARATA E PLOTË:
Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar ato në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë. Duke mbajtur parasysh se dy vendet tonajanë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriutdhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët. Duke mbajtur shënimkontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE. Duke vlerësuarkontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse. Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë.” Duke mbajtur shënimse marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhurçështjete hapura mes vendeve tona. Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40,mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte; me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet,
KUVENDI i republikës së Shqipërisë
- I bindur në vullnetin e mirë të Parlamentit të Republikës së Greqisë për ti dhënë shtysë pozitive marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, duke bërë përpjekje konstruktive për të zgjidhur çdo çështje të hapur,
- Fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr.2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.
- Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjithashtu, KUVENDI i republikës së Shqipërisë
- I kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimine Ligjit Nr. 2636/40,dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
- I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtmeqë, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë Nato dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara.
Çfarë është "ligji i luftës"?
Greqia e deklaroi Shqipërinë, përkrah Italisë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror (pasi asokohe ishte monarki). Traktati i miqësisë greko –italiane në 1947 e tërhoqi gjendjen e luftës mes dy vendeve. Ndërsa për Shqipërinë, Greqia pretendon se e ka hequr gjithashtu, por nuk ka ndodhur. Në 1971, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë konflikti të heshtur mes dy vendeve. Sidoqoftë, ky aksion, jo automatikisht do të thoshte që gjendja e luftës është hequr ‘de jure’.
Në 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë procedoi një akt që e deklasifikoi Shqipërinë nga vendet armike, duke e konsideruar gjendjen e luftës të përfunduar. Kjo deklaratë, gjithsesi, duket se ka mungesë të efiçencës ligjore, përderisa është kundër ligjit- dekret 1138/1949 që i referohet vendeve armike. Ligji konkretisht përcakton se deklasifikimi i një vendi si armik kërkon adoptimin, qoftë të instrumenteve të reja statutore, qoftë bërjen e një ligji të ri.
Ka disa që besojnë se më këto akte ose të paktën me një prej tyre, Greqia i ka dhënë fund gjendjes së luftës. E vërteta është diku midis!
Sipas aktit të vitit 1971, në këndvështrimin e Ligjin Ndërkombëtar, pranohet se mes dy shteteve nuk mund të ketë njëkohësisht dy gjendje, njëra gjendje e luftës dhe tjetra e marrëdhënieve diplomatike. Në vazhdim, akti i 1987 mund të jetë një akt kombëtar i ligjshëm por prodhon pasoja ligjore edhe në nivel ndërkombëtar. Në 1996 Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një Marrëveshje Miqësie, Bashkëpunimi, fqinjësie të Mirë dhe Sigurie pa u përmendur fare gjendja e luftës. E gjithë situata u karakterizua si një “Paradoks Ballkanik” perfekt nga Kryeministri Shqiptar, Edi Rama në 2016. Edi Rama beson se gjendja e luftës është ende aktive dhe i ka bërë disa herë thirrje qeverisë greke që ta tërhiqte! Këtë opinion duket se ka edhe ish-Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, që pranoi se gjendja e luftës është ende aktive dhe deklaroi se zgjidhja e këtij problemi ishte një marrëveshje, që ai, bashkë me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushatin, kishin arritur, por nuk e nënshkruan kurrë që nga vera e 2018. Kjo marrëveshje nuk u firmos kurrë, për shkak të mosekzistencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Disa muaj më vonë, marrëveshja duket se u harrua që kur "pionierët" e saj u hoqën nga pozicionet që mbanin.
Në përfundim, duket se Greqia dhe Shqipëria nuk janë ‘de facto’ në gjendje lufte. Problemi është se nuk është e njëjta situatë nëse togfjalëshi ‘de facto’ zëvendësohet nga ‘de jure’. Kjo sepse vendimi i 1987 nuk u shndërrua kurrë në ligj. E gjithë çështja e “Gjendjes së Luftës” mund të përdoret si mjet për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë që sot sërish janë të tensionuara për shkak të Himarës dhe çështjes së Fredi Belerit./ZËRI