
PRISHTINË- Në muajin prill të këtij viti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari ka përplasur një fëmijë me makinë në Prishtinë.
Pas ngjarjes, ministrja Hajdari kishte shkruar një status në rrjetet sociale, ku duke dashur të shfajësohet, deklaronte se “fëmija ishte përplasur me makinën e saj”. “Në kohën që po kaloja rrugën pranë një marketi, papritur më janë shfaqur dy fëmijë, që po përpiqeshin të kalojnë rrugën me nxitim. Fatkeqësisht, një nga fëmijët u përplas me automjetin tim”, ka shkruar ndër të tjera, ministrja.
Opozita në Kosovë hodhi akuza ndaj ministres, duke u shprehur se “Hajdari kishte shtypur me makinë një fëmijë dhe më pas ishte larguar me mjetin e saj.” Kosovanews ka publikuar së fundmi, në “Facebook”, momentin, kur ministrja godet me automjet fëmijën. Në pamje, ministrja Hajdari, pas aksidentit, duket teksa afrohet tek fëmija dhe shoqëruesja e vogëlushes.
Fëmija nga aksidenti ka pësuar lëndime të lehta dhe pas ekzaminimeve mjekësore, ka shkuar në shtëpi. Rastin e aksidentit të zonjës Hajdari e ka trajtuar Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, duke u dërguar në gjykatë për kundravajtje.
Pasi ekspertiza e nxjerrë si provë nga gjykata dhe ekspertiza e paraqitur nga përfaqësuesi i të pandehurës nuk ishin të përafërta, gjykata mori vendim që të caktohet një grup ekspertësh nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës, për të zhvilluar një superekspertizë. Në supereksprtizën e nxjerrë më 5 shtator 2023, tërhiqet vëmendja edhe për këmbësoren, por jo pak edhe për drejtuesen e mjetit, që është ministrja Rozeta Hajdari.



Në superekspertizë, thuhet se këmbësorja “ka kaluar rrugën në mënyrë të nxituar”, por kritikohet edhe drejtuesja e mjetit, teksa theksohet se “drejtuesja e makinës Hajdari nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes me mjet, në kushte të qarkullimit, në zona urbane, ku kërkesat, për lëvizje të këmbësorëve dhe lëvizje të tjera të pamotorizuar, janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm, me qëllim evidimin e aksidentit”./Zëri.ai/