TIRANË- Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi. Sipas saj, pas një pune 2-vjeçare, kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve. Për të optimizuar shërbimet, do të bëhet ndarja e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe me detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit. 6 rajonet janë të ndara kështu: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit,”- njofton Kumbaro.
Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.
VENDIM PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIMIN E TURIZMIT 2025–2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025–2030 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe të gjitha ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
Oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Strategjia e turizmit 2024-2030, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm. Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030. Po ashtu, në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit. Ndaj, për të garantuar standard në shërbim, është edhe një plan masash për të mbajtur punonjësit sezonal edhe jashtë sezonit. Propozimi është që shteti të kompensojë punonjësit edhe gjatë kohës që nuk janë në punë për shkak të mbylljes së sezonit./ZËRI